E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur dhuna politike nuk e zemëron FIFA-n

E mbani mend ministrin Pango kur komentoi takimin e Presidentit Topi me presidentin e FSHF-së, Armand Duka? "Prapë Duka bëri një mashtrim të vogël. Nuk ishte ai që i kishte kërkuar takim Presidentit Topi, por ishte thirrur që të jepte disa sqarime...". Që ministri nuk ka dëshirë të luajë sipas "fair-play" me kundërshtarin e tij, këtë e tregon edhe një frazë që shkaktoi bujë: "Nuk përballem publikisht me të, sepse ai nuk ka nivelin tim". Ironi edhe nga kampi tjetër, kur presidenti i Federatës thotë se "futbolli do të kthehet, por do na ikë ministri Pango". Polemika që zbulojnë se arsyet e vërteta që gjendemi pa futboll evropian, nuk janë ndryshimet në statut. Këtë nuk ka frikë ta thotë edhe në ekran zoti Pango: "Më mirë të largohet vetë Armand Duka! Asnjë nga ne nuk është i përjetshëm". Por ministri-psikolog që kujton se lidhjet e tij me futbollin janë qysh nga botërori i 1962-it, nuk ka një përgjigje të gatshme kur pyetet: "Cili nga ministrat, deputetët apo politikanët është larguar vetë nga skena, që ta kopjojë ky Duka i futbollit?".

Nga FIFA dhe UEFA mbërrijnë mesazhe se politika të reflektojë në këto momente krize për sportin shqiptar. Sa më shumë ditë të kalojnë, aq më shumë bëhet e mundur që "pezullimi" të shndërrohet në "përjashtim". Më pas do të jetë një mundim i pavlerë që të gjejmë fajtorin midis ministrit dhe presidentit të FSHF-së. Por edhe ndërkombëtarët duket se ndërhyrje të politikës quajnë vetëm luftën kundër Dukës dhe jo rastin kur deputeti dhunon arbitrin. Dhe më keq akoma, kur ndeshja emblemë e dhunës, Iliria me Allbpetrolin, shkakton kaq shumë frikë te komisionet e Federatës. Edhe këtë herë nuk mungon politika, prandaj bëhen qesharake vendimet. Por këtë radhë FIFA nuk është informuar për dhunën e politikës. Vetëm kur rrezikohen postet, bien kambanat.

Edhe dhuna ka klasifikimin e saj në futbollin tonë. Kur arbitri Guçe tregonte shenjat e goditjeve në fytyrën e tij, kjo nuk pati efektin si dikur ish-shefi i Federatës, Sulejman Mema kur u dhunua në Burrel. Prandaj, këto ditë, dëgjojmë shpjegimin komik se 3 pikët nuk shkojnë në favor të ekipit nga Patosi se "lufta" filloi pas ndeshjes. Duket sikur na thonë se është nder për një arbitër të provojë edhe grushtin e Parlamentit. Që nuk do të jetë hera e fundit, këtë e dëshmon fakti se presidenti Duka dhe komisionet "manekine" nuk kishin kurajë të dënonin ekipin agresiv, i cili mori zemër nga deputeti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›