Curri, lojtari më i mirë në Erzgebirge Aue-SC Paderborn 07

Sulmuesi shqiptar Skerdilajd Curri, u votua nga ekspertët e revistës prestigjioze gjermane "Kicker", si lojtari më i mirë i takimit të Bundesligës 2, Erzgebirge Aue- SC Paderborn 07, ndeshje që u vendos me golin e shënuar nga Curri në minutën e 75 (një e majtë e fuqishme e kavajasit). Sulmuesi shtatshkurtër u vlerësua me notën 2, me e mira në të dyja ekipet. Ky është vlerësimi më i mirë për nr.14 të Erzgebirges në 10 ndeshjet e tij të këtij sezoni. 31-vjecari Curri (166 cm) hyri në lojë në minutën e 55 (në vend të Klinkës) dhe pas njëzet minutash shënoi golin e fitores. Ky ishte dhe goli i tij i 14-të në 95 ndeshje në Bundesliga 2. Po në këtë takim, kosovari Mehmet Dragusha, që luajti në rradhët e SC Padeborn u vlerësua me notën e dobët 5. Mesfushori u zëvendësua në minutën e 74-t nga Brinkman, pak sekonda para shënimit të golit nga Skerdi Curri. Erzgebirge realizoi fitoren e katër rresht, ndërkohë që të dielën do të jetë përballë krysueses së Bundesligës 2 Karlsruhes së Emdond Kapllanit. Padeborn pret të premten e ardhshme SC Freiburg.
Albania-Sport