E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

DAMASK – Katari dhe Jordania premtojnë mbështetje për Sirinë

DAMASK, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Diplomatët nga Jordania dhe Katari u takuan sot me udhëheqësin e ri de fakto të Sirisë Ahmed al-Sharaa – delegacionet e fundit që vizituan Damaskun për bisedime rreth tranzicionit politik të vendit – pas rënies së sundimtarit Bashar al-Assad.

“Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman al-Safadi udhëhoqi delegacionin në kryeqytetin sirian”, tha Ministria e Jashtme jordaneze.

“Ishte një takim i sinqertë dhe pozitiv me al-Sharaa”, i tha al-Safadi transmetuesit “Al Jazeera” pas takimit – duke shtuar se të dy liderët kishin rënë dakord të bashkëpunonin në luftën kundër terrorizmit, si dhe në luftën kundër kontrabandës së armëve dhe drogës nga Siria në Jordani.

“Jordania qëndron pranë sirianëve në fazën e re drejt rindërtimit të atdheut të tyre të lirë, të sigurt, të pavarur dhe sovran, ku nuk ka terrorizëm, përjashtim apo rrezik nën regjimin e formuar nga të gjithë sirianët dhe që mbron të drejtat e të gjithë sirianëve”, tha al-Safadi.

Ministri i Shtetit i Katarit në Ministrinë e Jashtme, Mohammed al-Khulaifi zhvilloi gjithashtu bisedime me al-Sharaa në Damask – pas një mosmarrëveshjeje 13-vjeçare midis Dohas dhe regjimit të mëparshëm.

“Vizita nënvizon dëshirën e Katarit për të mbështetur Sirinë për të ecur përpara”, tha Ministria e Jashtme.

Ditët e fundit, delegacione nga SHBA-ja, Turqia dhe vendet evropiane janë takuar me al-Sharaa në Damask – ndërsa lideri i ri kërkon heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë gjatë sundimit të al-Asaad.

Al-Assad, i cili sundoi Sirinë për më shumë se dy dekada, u largua në Rusi në fillim të këtij muaji – pasi një aleancë rebele e udhëhequr nga grupi “Hayat Tahrir al-Sham” i al-Sharaa nisi një ofensivë të shpejtë duke bërë avancime të mëdha territoriale derisa pushtoi Damaskun. //a.i./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›