E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH:Ligji i lustracionit,i mjegullt

Shqipëria ka një raport shqetësues përsa i përket të drejtave të njeriut. Ky fakt bëhet i ditur në raportin e Departamentit Amerikan të shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2008. Në kapitullin për Shqipërinë, ky raport ngrihen një numër shqetësimesh që kanë të bëjnë me qëndrimin e autoriteteve ndaj pronës private, respektimit të të drejtës së të pandehurve për procese të drejta gjyqësore, kushtet e burgimit etj. Ligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë nuk ka qëndruar jashtë vëmendjes së raportit. Kështu dokumenti thekson se ky ligj është formuluar me terma të mjegullta që i japin qeverisë hapësirë tepër të gjerë për të përcaktuar vetë se çfarë nënkuptohet nga aktiviteti politik i ish-zyrtarëve të sistemit komunist, duke i dhënë dorë të lirë të vendosë se kush do të shkarkohet nga detyra. Raporti nënvizon edhe konfliktin e lindur ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit nga ky ligj, pasi pritet që ligji të prekë një numër anëtarësh të gjykatës kushtetuese. Raporti i DASH-it, thekson më tej se prona private vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje në analizën vjetore të Departamentit ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të Avokatit të Popullit për të vepruar dhe ankesave që vijnë pranë tij lidhur me çështjen e pronave. Në kapitullin për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standartet ndërkombëtare. Po ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie që ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej 48-orësh që lejohet për ndalim para gjykimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›