E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

DAVOS – Trump shpreson të takojë Putinin së shpejti për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë

DAVOS, 23 janar /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur dëshirën e tij për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar luftën në Ukrainë që Moska nisi gati tre vjet më parë.

“Unë me të vërtetë do të doja të takohesha me presidentin Putin së shpejti – dhe të diskutoja për t’i dhënë fund luftës”, tha ai në fjalimin e tij përmes lidhjes me video në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Vetëm disa orë pas ceremonisë së inaugurimit si president i SHBA-së, ai tha se kishte ndërmend të fliste me Putinin “shumë shpejt”.

I pyetur nëse do të kishte një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës deri në Forumin Ekonomik Botëror 2026 në Davos, Trump dha një përgjigje evazive.

“Epo, do të duhet të pyesni Rusinë”, tha Trump, duke shtuar se Ukraina është gati të bëjë një marrëveshje.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi se mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të tij të mira me Putinin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›