MOSKË – Rusia hedh poshtë akuzat e BM-së për shënjestrimin e kabllove nënujore

MOSKË, 23 janar /ATSH-AFP/- Rusia mohoi sot pretendimet se kishte shënjestruar kabllot e komunikimit nënujor, një ditë pasi Londra akuzoi një “anije spiune ruse” se kishte kaluar nëpër ujërat britanike – duke i dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë presidentit Vladimir Putin.
Britania e Madhe tha dje se Marina e saj Mbretërore kishte gjurmuar anijen rreth 45 milje (72 kilometra) larg brigjeve të saj, duke thënë se anija po përdorej për mbledhjen e të dhënave të shërbimeve sekrete duke synuar infrastrukturën e rëndësishme nënujore.
Akuzat vijnë pas shqetësimeve lidhur me sabotimin e lidhjeve të komunikimit nënujore midis vendeve të NATO-s, për të cilat fajësohet Rusia.
“Akuzat e bëra nga struktura e mbrojtjes britanike kundër Rusisë për krijimin e një lloj kërcënimi ndaj komunikimeve nënujore të vendit dhe aleatëve të saj të NATO-s janë absolutisht të paqëndrueshme. Kërcënime të tilla nuk vijnë kurrë nga Rusia”, sipas një deklarate të cituar nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve, ambasada e Moskës në Londër.
Rusia akuzoi Londrën për “ngjalljen e tensioneve” në Balltik dhe Detin e Veriut.
Kremlini më herët kishte refuzuar të komentonte mbi këtë çështje.
Disa kabllo nënujore telekomunikacioni dhe energjie janë shkëputur në Detin Baltik muajt e fundit, ndërsa ekspertët dhe politikanët kanë akuzuar Rusinë për orkestrimin e një lufte hibride.
Incidenti më i fundit ndodhi më 25 dhjetor, kur kablloja elektrike Estlink 2 dhe katër kabllot e telekomit që lidhin Finlandën dhe Estoninë u dëmtuan.
Kjo erdhi vetëm disa javë pasi dy kabllot e telekomit në ujërat suedeze u ndërprenë më 17 dhe 18 nëntor. //a.i/