E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, ende nuk është caktuar data

• Zyrtarët kosovarë nuk pranojnë të publikojnë datën e shpalljes së pavarësisë, me argumentin se ende nuk ka koordinim të prerë mebashkësinë ndërkombëtare mbi këtë çështje. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, caktoi që ditën e premte të zhvillohet një seancë e parlamentit, por kjo nuk do të thotë që në këtë ditë të shpallet pavarësia. Ndërkohë optimizmi në Kosovë nuk është shuar, përgatitjet për festën e pavarësisë vazhdojnë. I vetmi konfirmim është që shpallja e shtetësisë së Kosovës do të bëhet në muajin shkurt. Një nga anëtarët e kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti, tha se, as udhëheqësit e institucioneve të Kosovës akoma nuk e dinë datën e pavarësisë, sepse akoma nuk ka një koordinim të prerë me bashkësinë ndërkombëtare për këtë ditë. “Institucionet e Kosovës nuk kanë kompetencë që ta caktojnë të vetme datën e shpalljes së pavarësisë, sepse për këtë ditë duhet të ketë koordinim edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ky koordinim nuk ekziston akoma dhe e vërteta është se institucionet e Kosovës nuk e dinë datën e pavarësisë”, shprehet Sabri Hamiti. Kuvendi i Kosovës pret që me një procedurë të përshpejtuar të miratojë ligjet e parashikuara në paketën e statusit të ndërmjetësuesit, Marti Ahtisari. Shpallja e pavarësisë do të bëhet mbi bazën e kësaj pakete. Për përgatitjet për këtë ditë janë formuar grupe të tëra për organizimin e programeve artistike, ndërsa qendra e Prishtinës ka filluar të zbukurohet që tani. Qindra mediume botërore me ekipet e tyre janë vendosur në Prishtinë dhe për  akomodimin e tyre qeveria ka krijuar një qendër të re mediatike, ku udhëheqësit politikë kosovarë do t´u drejtohen mediave. Ndërkaq qeveria e Kosovës, administrata ndërkombëtare dhe forcat paqeruajtëse zhvilluan dje në orët e mbrëmjes një takim të përbashkët, ku diskutuan në mënyrë të veçantë për çështjen e sigurisë në Kosovë. Çdo incident mund ta dëmtojë rëndë procesin final nëpër të cilin po kalon Kosova. Organet e rendit thonë se, situata e sigurisë në Kosovë paraqitet e qetë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›