E Shtunë, 31 Tetor 2026

DC United prezanton Salihin

Hamdi Salihi është prezantuar zyrtarisht te skuadra e “Major League” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, DC United. Klubi i Uashingtonit i ka rezervuar sulmuesit të Kombëtares shqiptare fanellën me numrin 9. Kjo lidhet edhe me pohimin e trajnerit të skuadrës, Ben Olsen, që u shpreh mjaft entuziast për afrimin e shkodranit, duke thënë se më në fund ka gjetur sulmuesin e duhur. “Klubi ynë ishte prej kohësh në kërkim të një numri 9 tipik dhe më në fund e gjetëm”, tha ai.
E hëna ishte dita e parë e Hamdi Salihit ambientet e klubit amerikan, ndërsa ai zhvilloi edhe stërvitjen e parë me skuadrën e DC United. Drejtuesit e skuadrës e kanë të qartë që çdo lojtar I ri ka nevojë për pak kohë që të ambientohet dhe janë shprehur të gatshëm tia plotësojnë të gjitha kushtet “bomberit”, në mënyrë që ai të jetë i përqendruar vetëm te fusha.
Nga ana e tij, gjatë prezantimit Salihi u shpreh se “MLS-ja po rritet si nivel futbollit”. Ai tregoi edhe detaje nga merkato e janarit, ku theksoi se përditë merrte oferta të reja nga Gjermania, Rusia apo Turqia, ndërsa ishte edhe fare pranë kalimit në Skoci, te Sëlltik apo Rejnxhërs. Megjithatë, pasi vlerësoi gjithçka, në fund ai zgjodhi SHBA-në dhe mendon se ky ishte vendimi më i mirë.
Për ta lejuar Salihin që të përshtatet sa më shpejt te DC United, trajneri De Biazi ka vendosur që lojtari të mos luajë në miqësoren me Gjeorgjinë, por ai të vazhdojë stërvitjen me skuadrën e tij të re.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›