E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sancez mezi pret rifillimin e ndeshjeve

Hulian Rubio Sançez është një njeri që është mësuar të punojë. Trajnerit spanjoll të Tiranës i hanë duart, ndërsa ka ditë të tëra që thjesht stërvitet, ndërsa superliga dhe kupa u shtynë për shkak të kushteve atmosferike.
Gjithsesi, për Rubio Sançezin kjo gjë nuk duket normale. “Kjo ndërprerje nuk i shërben aktivitetit, - thotë ai, - lojtarët humbin kohë dhe ritmi nuk është ai i duhuri”. Spanjolli nuk ka ndërmend të shpallë fajtorë, ndërsa i quan këto ndërprerje “zakone shqiptare me të cilat duhet të mësohem”.
Ai nuk dëshiron të flasë aspak për çështjen “Duro”, ndërsa lojtari mbetet ende jashtë skuadrës, kurse për titullin kampion është shumë i qartë dhe flet pa problem. “Do të jenë 5 skuadra në garë, - shprehet, - do të luftojnë deri në fund për të fituar kampionatin”.
Pra, Teuta, Tirana, Skënderbeu, Flamurtari, por edhe Kastrioti. Së fundi, bardheblutë duket se kanë dëshirë që Rubio Sançez të rinovojë, por vetë trajneri çfarë mendon?
“Është ende shumë shpejt, - nuk zgjatet trajneri, - sapo të zgjidhim disa gjëra do të ulemi të flasim”. Shpresojmë vetëm që gjërat të mos jenë të pamundura për t’u zgjidhur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›