E Shtunë, 31 Tetor 2026

DEKLARATË PËR MEDIAT E ZOTIT SPIRO PEÇI, KËSHILLTAR LIGJOR I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

3 shkurt 2011

Në deklaratën e vet para medias, Kryetari i Komisionit Hetimor, zoti Halimi u mundua të bënte një sqarim se Presidenti i Republikës nuk është thirrur si dëshmitar, por për të përcjellë në seancë pyetjeje, të dhëna apo informacione që ka për veprimtarinë e vet para, gjatë dhe pas datës 21 janar 2011.

Nuk dua t’i komentoj këto deklarata si lojëra fjalësh, por do i konsideroja si të mirëqena ato që zoti Halimi deklaroi.

Ky Komision mesa u deklarua, edhe nga përmbajtja e shkresës që sapo ka mbërritur pranë Presidentit të Republikës, pretendon që prej Presidentit të Republikës, po citoj shkresën, të mbledhë të dhëna dhe informacione zyrtare dhe jozyrtare, si dhe dokumente. Komisioni mundohet të argumentojë se e mbështet kërkesën në Nenin 14, germa “b” të Ligjit Për komisionet hetimore. Në qoftë se ky “argumentim” nuk përmban keqdashje politike, në rastin më të mirë, është një miopi juridike.

Neni i cituar, bën fjalë për të drejtën e Komisionit që të thërrasë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre. Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucioni.

Dua të theksoj se askush, nuk mund të verë në dyshim apo të komentojë, faktin që Presidenti është institucion dhe jo titullar institucioni. Është pikërisht kjo arsyeja, midis të tjerave, që Kushtetuta e Republikës, e ka vendosur Presidentin si institucion, duke i caktuar direkt kompetencat, të drejtat dhe detyrimet.

Ashtu siç shpjeguam edhe në konferencën e ditës së djeshme, në bazë të Nenit 92, në germën “h” të Kushtetutës duke qenë Presidenti një institucion, thuhet “kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështjet që kanë të bëjnë me detyrat e tyre” .

Në asnjë rast, Presidenti i Republikës nuk ka detyrimin për të dhënë informacione.

Marrëdhëniet e Presidentit të Republikës me Kuvendin janë përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta, madje duke e vendosur Presidentin si Institucion në një pozitë të veçantë, po në Nenin e sipërcituar, në germën “a”, ku thuhet Ai "i drejton mesazhe Kuvendit”.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›