Kryeministri Berisha pret ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë z. Samuel Žbogar

Kryeministri Berisha priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë z. Samuel Žbogar, i cili është dërguar në Tiranë nga Kryeministri slloven z. Borut Pahor për tu njohur me situatën e krijuar pas përpjekjes së dhunshme të opozitës për thyerjen e rendit kushtetues dhe institucioneve demokratike në vend.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen dhe e falënderoi me mirënjohje për interesin që qeveria dhe vendi mik Sllovenia po tregojnë ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, Kryeministri Berisha e njohu ministrin Žbogar me situatën në vend pas përpjekjeve të dhunshme të opozitës kundër rendit kushtetues dhe institucioneve demokratike, si dhe zhvillimet pas dështimit të grushtit të shtetit të 21 janarit.
Kryeministri Berisha theksoi se në këtë situatë të vështirë vetëm drejtësia e paanshme dhe e pavarur është dhe mbetet thelbësore për përfundimin dhe daljen nga kriza e shkaktuar nga grushti i shtetit i mbetur në tentativë, i organizuar nga kryetari i opozitës.
Pasi u njoh në mënyrë të hollësishme me situatën, ministri Žbogar e rigarantoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e plotë të qeverisë sllovene dhe të vendit të tij, një vend mik i Shqipërisë. Më tej, zoti Samuel Žbogar i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit Borut Pahor dhe me urimet që kjo situatë e vështirë të tejkalohet sa më parë, në mënyrë që Shqipëria të rikthehet në rrugën e integrimit evropian.
Kryeministri Berisha e garantoi ministri Žbogar se qeveria shqiptare është e vendosur të mos lejojë në asnjë rast cenimin e institucioneve demokratike dhe rendit kushtetues përmes forcës, dhe se ajo mbetet totalisht e përkushtuar ndaj projektit madhor kombëtar, integrimit në Bashkimin Evropian, duke e marrë këtë si një proces të bazuar tërësisht në meritë e performancë si interesi më i mirë i Shqipërisë, shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre.
Gjithashtu, Kryeministri i përsëriti zotit Žbogar ftesën e bërë zyrtarisht OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 8 Majit duke kërkuar dërgimin e sa më shumë vëzhguesve ndërkombëtarë për të dëshmuar angazhimin e plotë të autoriteteve shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
02/02/2011