Kryeministri Berisha pret në takim ambasadorin e ri të Spanjës, zotin Rafael Tormo Perez

Kryeministri Berisha prit sot në një takim ambasadorin e ri të Spanjës, zotin Rafael Tormo Perez. Kryeministri Berisha i uroi përzemërsisht mirëseardhjen zotit Perez dhe suksese në detyrën e tij, në Shqipëri.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike midis dy vendeve dhe qeverive dhe ne veçanti intensifikimi dhe zgjerimi i jashtëzakonshëm që bashkëpunimi mes dy vendeve ka njohur gjatë viteve të fundit.
Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen ambasadorit për mbështetjen e jashtëzakonshme të Spanjës ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për liberalizimin e vizave dhe ecjen përpara drejt integrimit në BE, si dhe për një sërë projektesh të rëndësishme në fushën e kulturës, arsimit, bashkëpunimit ekonomik që janë realizuar dhe po realizohen gjatë kësaj periudhe.
Ambasadori spanjoll Perez i rikonfirmoi kryeministrit Berisha vendosmërinë e palëkundur të Spanjës dhe te qeverisë së saj, për të mbështetur Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për anëtarësimin në BE dhe marrjen sa më parë të statusit të vendit kandidat, si dhe për vijimin e intensifikimit të të gjithë projekteve të përbashkëta, në të gjitha fushat e bashkëpunimit me interes të së mirës të dy popujve dhe vendeve miq.
Në takim, Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu ambasadorin Perez edhe me zhvillimet e fundit, pas dështimit të tentativës së opozitës, për të dhunuar institucionet demokratike dhe rendin kushtetues.
01/02/2011