KQZ përfundon numërimin edhe në njësinë nr. 5, Lulzim Basha ruan diferencën prej 82 votash para rivalit të tij, Edi Rama

Reagimi, PD: Edi Rama kërkon të delegjitimojë procesin zgjedhor
UPDATE- Mbyllet numërimi i votave të njësisë bashkiake nr.4. Kandidati demokrat për Tiranën Lulzim Basha, vijon të jetë në krye të garës. 8 grupet e numërimit në KQZ, finalizuan numërimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, në të 160 kutitë e 43 qendrave të votimit të njësisë bashkiake nr.4 ose KZAZ nr.48 në Tiranë. Pas numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e tjera dhe këqyrjes së fletëve të pavlefshme në zarfin përkatës, por edhe fletëve të vlefshme të hedhura jashtë këtyre zarfeve, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha është në avantazh me 78 vota, kundrejt rivalit të tij të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama. Rezultati mes dy kandidatëve në këtë njësi është i barabartë me 53 vota secili.
Numërimi i votave për njësinë 4 u shoqërua me debate mes anëtarëve të KQZ-së. Kësisoj, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kundërshtuan numërimin e votave në disa kuti ku mungonte zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme, që ata e argumentuan si një manipulim të hapur. Gjithashtu përfaqësuesit e PS-së kërkuan hetimin e disa kutive, në të cilat nuk përputheshin kodet e sigurisë, të hapjes me ato të mbylljes.
Ndërkohë dje ka përfunduar edhe hapja e numërimi i 474 kutive, që i përkasin njësisë bashkiake, 1, 2 dhe 3 në kryeqytet. Deri dje në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha kanë shkuar 69 vota, ndërsa për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama 74 vota, një rezultat ky që erdhi pas përfundimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara në tre njësitë bashkiake të Tiranës, 1, 2 dhe 3.
Jorida Tabaku: Edi Rama kërkon të delegjitimojë procesin zgjedhor
Partia Demokratike falenderon numëruesit e të dy palëve që po punojnë pranë KQZ-së për të bërë të mundur që ky proces të shkojë drejt një përfundimi. Ditët e fundit, ne kemi parë një përpjekje shqetësuese nga Partia Socialiste për të errësuar procesin, goditur institucionet e pavarura, dhe për të mbytur zërin e qytetarëve. Të shtunën, Edi Rama kërcënoi se do të bojkotojë parlamentin nëse KQZ vazhdon procesin e urdhëruar nga Kolegji Zgjedhor, pas ankesës që bëri vetë z.Rama. Të dielën, Edi Rama tha që KQZ po vepron nën urdhrat e Berishës, ndërkohë që të gjithë e dinë se KQZ po vepron sipas urdhrit që dha Kolegji Zgjedhor, me kërkesën e bërë nga vetë Partia Socialiste. Sot, Edi Rama akuzoi KQZ-në për manipulim të procesit. Nuk ka manipulime. Përveç faktit se sot, siç e ka parë i gjithë publiku, një vëzhguese e Partisë Socialiste tentoi të manipulojë procesin duke thyer një kuti votimi. Çdo shqiptar ka pasur mundësinë ta shohë numërimin drejtpërdrejt në TV. Dhe të gjithë shqiptarët janë duke pritur me qetësi dhe durim që procesi zgjedhor të mbyllet. Partia Demokratike bashkohet me durimin e qytetarëve dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura, ashtu siç kërkon edhe komuniteti ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar po na kërkon të gjithëve që të sillemi me maturi dhe të presim përfundimin e procesit dhe respektimin e vendimeve të institucioneve. I vetmi që po kundërshton këtë, është z.Rama. Ky proces, është më i rëndësishëm se sa, kush fiton apo kush humbet. Ky proces ka të bëjë me një standard themelor të zgjedhjeve të lira dhe dëgjimin e zërit të çdo qytetari. E çdo parti ka përgjegjësinë e saj të respektojë vendimet e institucioneve të pavarura dhe të heqë dorë nga presionet e shantazhet. Edi Rama ka thënë shumë këto ditë, por sërish nuk ka thënë se; Përse ai nuk dëshiron të numërohet çdo vote? Përse z.Rama nuk dëshiron të dëgjohet zëri i çdo qytetari?
...