E Shtunë, 31 Tetor 2026

DINJITETI PERBALLE ID-së

Kur më dukej se edhe unë po i afrohesha mundësisë për t‘u pajisur me kartë identiteti, ia behu intervista e znj. Doric Pack. Mos ua paguani kartën të varfërve, tha në thelb ajo. Ta paguajnë vetë. Dhe iku.

1.

Historia e kartës së identitetit, më poshtë po e quaj edhe unë ID, si znj. Pack, është një histori komike në Shqipëri. Për gati njëzet vjet, shtetarët na dhanë gjithçka, ujë dhe drita, autostrada dykalimshe, plane kombëtare veprimi, qumësht dallëndysheje, kompani ajrore private, turistë kulturorë, ura pa lumenj, mjekë që punojnë në klinika private dhe paguhen nga shteti, gara presidentësh, policë që vriten në mes të ditës dhe të njerëzve. Por një gjë nuk e zëvendësuan dot, letërnjoftimin e zhubravitur. Edhe për të janë bërë alokime e tendera, premtime dhe përbetime, ironi dhe debate. Por asnjë prej tyre nuk na dha dot ID. Pasi pritëm gati dy dekada, më në fund pamë në televizor ID e famshme. Një dallëndyshe e vonuar, që mezi gjeti rrugën për te ne.

2.

Më kujtohet, kur djali im emigroi në Teksas, dhjetë vjet më parë, këtë dokument e mori për një javë. Aplikova, tha, dhe ma dërguan në shtëpi. Pa tender, pa zhurmë, pa thirrje e përbetime, pa znj. Pack. Po te ju, ç‘bëhet?, - më pyeti im bir atëkohë. Në fakt, edhe unë dëshiroja të aplikoja, po ku dhe si? Në vend të një procesi qytetar, normal dhe vullnetar, çështja e ID u shndërrua në një betejë politike. Kjo nuk është një betejë politikanësh, por një betejë midis shtetit dhe qytetarit. Shteti, pasi e vonoi aq sa nuk mban më, me të drejtë është vënë në mengene nga bosët e znj. Pack, për ta bërë këtë punë sa më shpejt. Para 28 qershorit. Në vend të një veprimi qytetar dhe vullnetar, shteti im e shndërroi punën e ID në një veprim politik dhe të detyruar. Në këtë mënyrë, shteti dhe qeveria ime, mua dhe të tjerët që jetojmë nën pjesën e diellit që na takon, nuk na konsideron qytetarë, por turma. Na konsideron, siç konsideronin bashkëkohësit e gjyshit tim në Xhafzotaj, lopët e racës holandeze. Kur për t‘i dalluar, u vinin nga një numër në vesh. I vinin në rresht dhe u qepnin etiketën me numrin. Ne nuk na venë në rresht me etiketa dhe duke na grumbulluar në oborr të kompleksit blektoral, por me thirrje, kërcënime, fushata sensibilizimi, aludime, madje edhe fyerje.

3.

Thirrjet që na bëhen për të nxituar për ID-në maskohen pas interesit qytetar dhe demokratik. Por në fakt nuk është kështu. Thirrjet janë për interesin e shtetit. Shtetit i duhet të bëjë zgjedhje dhe i rezulton se nuk i bën dot pa ID. Prandaj ka kaq muaj që po lodhet e ndeshet me veten, si të na detyrojë të aplikojmë. Shteti kërkon të realizojë një detyrim të vetin dhe një të drejtë timen, duke më detyruar mua të veproj sipas komandave të shtetit. Zgjedhjet e rregullta janë një detyrim i shtetit. Të kem një ID, është e drejta ime. Në këtë rast midis detyrave të shtetit dhe të drejtës ime është krijuar një konfuzion për faj të shtetit. Dhe shteti pasojat e këtij konfuzioni kërkon që t‘i ndajë me mua. Madje, më keq akoma, të m‘i lerë në derë vetëm mua. Pasi ka shkelur një të drejtë natyrore e civile, të më japë në dorë një copë letër, e cila thotë kush dhe ku jam unë, shteti më kërcënon se për këtë e kam fajin unë. Jo, faji në fakt është i shtetit.

4.

Shteti, jo vetëm që më detyron të bëj atë që do ai, por edhe më urdhëron ta bëj këtë veprim kur do ai. Madje, ma kushtëzon mosveprimin tim. Dikujt i thotë ‘nuk të paguaj pensionin‘. Dikujt i thotë nuk të le të dalësh jashtë shtetit‘. Dikë tjetër e kërcënon se ‘nuk të le të hysh brenda shtetit‘ kur vjen nga jashtë‘. Punëtorëve të administratës së vet, që i quan shërbëtorë jo në kuptimin që i jep bota e qytetëruar kësaj fjale, u thotë ‘do t‘u pres rrogën‘. Mirë që nuk u thotë bujqve, që shteti i quan fermerë, ‘do t‘u ndaloj të punoni tokën për mbjelljet e pranverës‘. Pale sikur t‘i shkojë nëpër mend t‘u thotë Diellit dhe Tokës: Ej, ndaluni. Mos u rrotulloni, sa t‘u pajis me ID! Pra, nga nevoja që ka shteti për të bërë me ngut detyrat e shtëpisë, që ka njëzet vjet që nuk i bën, më lëshon pa u menduar gjatë lloj-lloj kërcënime. Shteti im e demonizoi ID-në time dhe po ua kundërve atë gjithë gjërave të natyrshme të kësaj bote dhe të jetës së qytetarëve. Në këtë mënyrë shteti del si gjithmonë, jo në krah, por përballë shtetasve të vet.

5.

Unë do ta mirëkuptoja shtetin tim, nëse do të më lëshonte kërcënime dhe do të më bënte fajtor pa pasur faj, për një të drejtë timen të çfarëdoshme. Por jo. Shteti më dërgon bubullima për të drejtën time më themelore: të drejtën e votës. Shteti, pasi ka bërë me këtë të drejtë të shenjtë ç‘ka dashur, tani kërkon të ma marrë. Dhe nuk ma merr duke më thënë ‘do ta marr‘, por më le të kuptoj se e kam fajin unë. Shteti më kushtëzon të drejtën time si qytetar me arrogancën dhe mungesën e llogarisë e përgjegjësisë si shtet i zgjedhur me votë. Kush do votojë për këtë shtet, nëse qindra-mijëra gra e burra, djem e vajza, që nuk kanë ID-në e famshme, nuk do ta marrin atë deri më 28 qershor dhe nuk do të dalin nga shtëpia atë ditë? Pa votat e tyre, shteti që do të dalë pas zgjedhjeve do të jetë ilegjitim.

6.

Ky zemërim i natyrshëm, më bëri të vras mendjen pak më shumë për shtetin tim dhe për punët e tij. Duke ditur se shteti nuk i fsheh shumicën e veprimeve që bën dhe të vendimeve që merr, iu drejtova adresës së shtetit në internet. Dhe atje zbulova se shteti kohët e fundit ka bërë shumë veprime financiare. Ka marrë mijëra vetë në punë shteti, po ndërton me shpenzime qiellore rrugë tokësore, porosit reklama që i bëjnë reklamë shtetit vetë. Shteti, pra, e zgjidhi qesen për shumë gjëra, pagesa, shpenzime. Vetëm për një gjë nuk e zgjidhi, për ID. Ato 10 euro nuk i lëshon që nuk i lëshon nga dora. Ku e ke hallin, shteti im? Ti je përgjegjës për gjithë këto gabime që ke bërë ndaj meje. Dhe nuk njeh asnjë prej tyre. Madje, kur unë të lutem të paguash për ID-në e varfanjakëve, ti bën sikur s‘dëgjon. Unë nuk ta kërkoj pagesën për ID-në për kapricio dhe kapardisje. Thjesht, të lutem të ma paguash, se unë vetë nuk e paguaj dot. Lutem sinqerisht të ma paguajë shteti, në dritë të diellit, dhe jo ish-fqinji im i pasur tenderizues e sponsorizues, nën dorë. Sepse dinjiteti im vlen më shumë se ID-ja ime.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›