E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani, mes ajatollahëve dhe ftesës për ndryshim

Në vazhdën e traditës të presidentëve amerikanë të filluar nga Klinton me urimin për Bajramin, urimi i Presidentit Obama për festën e Nevruzit është një risi në politikën e Shteteve të Bashkuara, pasi u drejtohet kryesisht myslimanëve shiitë dhe posaçërisht iranianëve si shteti me më shumë besimtarë të këtij sekti dhe aspiruesi që të përfaqësojë zërin dhe mbrojë interesat e tyre. Për frymën e re që Obama pritej të sillte në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij kundërshtari tridhjetëvjeçar, por edhe për rëndësinë gjeostrategjike që ka Irani në Lindjen e Mesme, për peshën që ka në botën islame dhe atë shiite, qëndrimi i Iranit ndaj ftesës për bashkëpunim, u intereson shteteve që i takojnë këtij rajoni të botës, por edhe më gjerë, pasi ndodhemi në mes të një krize, ku nafta, prodhues i së cilës ky rajon është, ka rolin e vet në rëndimin ose lehtësimin e pasojave.

Pesha e Iranit fillon të ndihet në arenën botërore gjatë luftës së dytë, ku rusët dhe anglezët e pushtuan, të trembur nga mësymja hitleriane dhe frika se gjermanët kapnin puset e naftës, aq të nevojshme për makinën e tyre të luftës. Me mbarimin e luftës, vendi rimori pavarësinë nën qeverisjen e Shah Reza Pahlevit , por zoti de fakto i vendit, ishte anglo-iranian ‘Oil Company‘, që drejtonte vendin dhe ishte edhe kundërshtari i parë, me të cilin u përplas nacionalizmi latent iranian. Ishte mbi këtë armiqësi, që një politikan populist e histerik, fitoi zgjedhjet dhe shtetëzoi industrinë e naftës. Emri i tij ishte Mohamed Mosadek dhe ishte i pari i llojit të tij, ku më vonë ç‘do shtet i këtij rajoni do ketë rastin të provojë të ngjashmit e tij.

Të papërgatitur për të menaxhuar rebelime të tilla me metoda të buta, britanikët me ndihmën e CIA-s organizuan në vitin 1953 grusht shteti, duke risjellë në fuqi Reza Pahlevin, por njëkohësisht duke fyer sedrën nacionale të iranianëve, mbi shtratin e të cilës do rritej armiqësia e sotme. Qeverisja e Shahut, do karakterizohej nga një korrupsion kapilar dhe pavarësisht të ardhurave të jashtëzakonshme nga nafta, këto u përdorën në projekte faraonike dhe jo produktive. Ishte kjo përzierje pakënaqësish e moskopetence, që prunë në fuqi në vitin 1979 Khomeinin. Pas kësaj date, historia e marrëdhënieve SHBA-Iran, kalon nëpërmjet marrjes së pengjeve, sekuestrime fondesh dhe deklaratave e qëndrimeve armiqësore.

Shpeshherë nga Perëndimi, Republika e Iranit dhe klasa drejtuese e saj shikohet si një vend ku me dorë të hekurt sundon një oligarki klerikale dhe uniteti është monolit. Por në realitet, ky vend përfaqëson një veçanti në teatrin e Lindjes së Mesme, ku me përjashtim të demokracisë izraelite dhe turke, panorama mbushet nga shtete me qeverisje autoritare dhe klasa drejtuese të pandryshuara prej disa dekadash.

Ka një Parlament të përbërë nga 290 deputetë, por fuqia e tij është konsultative, pasi ligjet e tij duhet t‘i miratojë "Këshilli i Gardianëve", ashtu si dhe kandidatët e këtij Parlamenti do t‘i miratojë ky Këshill. Këshilli ka 12 anëtarë, të cilët gjysmat i zgjedh Lideri Suprem dhe të tjerët nga "Urdhri i Gjykatësve". Por këta 12 anëtarë duhet të miratohen nga Parlamenti. Kur midis këtyre dy organeve ka kontradikta, ndërhyn "Këshilli i Interesit Kombëtar" dhe Lideri Suprem, i cili zgjidhet nga "Asambleja e Ekspertëve", e cila ka 86 klerikë të zgjedhur me mandat 8-vjeçar dhe ka të drejtë të revokojë edhe Liderin Suprem. Por dhe vetë kandidatët e "Asamblesë së Ekspertëve", duhet të përzgjidhen nga "Këshilli i Gardianëve".

Ky mozaik, pavarësisht se me ngjyrime të theksuara fetare dhe ku prania e klerit është evidente, është një veçanti në Lindjen e Mesme. Një tjetër e veçantë, është se "Këshilli i Sigurimit Kombëtar", varet nga Lideri Suprem dhe Presidenti i vendit, ka pak ose aspak autoritet mbi Forcat e Armatosura.

Duke u kthyer rishtas tek urimi i Obamës dhe deklarata e Khameneit, në vështrim të parë, përgjigja ishte me po të njëjtën gjuhë që është dëgjuar për vite nga iranianët, e asgjë e re nuk ka ndodhur në marrëdhëniet dypalëshe. Por fakti që përgjigjja erdhi nga udhëheqësi suprem i enturazhit drejtues iranian, ajatollah Ali Khamenei dhe jo nga Ahmadinexhadi, i cili është homologu i Obamës nga ana protokollare, është një risi.

Nëse bëjmë një analizë në thellësi, do vërejmë se tridhjetë vjet pas shndërrimit të vendit në një republike islamike teokratike, nuk janë realizuar shumë nga shpresat e fillimit të revolucionit. Vërtet vendi është një zë i pavarur në rajon, por varfëria është prezente dhe rishpërndarja e pasurive kombëtare, jo gjithmonë bëhet sipas parimeve islame. Vendi ka simptomat e shoqërive të ngrira, ku një kastë drejtuese piramidale e përbërë nga imamë e pasdaranë (roje të revolucionit), ka frikën e humbjes së pozitave drejtuese. Por në një vend ku shumica e popullsisë është e re, në një botë ku globalizmi dhe mjetet e tij nuk mund të kalojnë gjithmonë në filtrat e regjimit, me një diasporë të lidhur me vendin e saj dhe aktive në vendet ku janë integruar, Irani duhet të dalë nga llogorja e luftës fetare dhe të integrohet në rajon e më gjerë. Për të dalë nga impasi ekonomik duhet të inkurajojë investimet e huaja, dhe kjo mund të arrihet vetëm me ndihmën e kapitaleve dhe teknologjisë perëndimore. Por që Perëndimi të jetë gjthëprezent në jetën e Iranit, duhet miratimi i Shteteve të Bashkuara, të cilat janë lideri moral dhe financiar. Liderë iranianë, ku spikat për vijën e tij filoperëndimore Ali Akbar Rafsanxhani, e kanë kuptuar nevojën e hapjes ndaj Perëndimit, për të dalë nga ky stanjacion.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar se zgjidhjet politike në rajon e më gjerë, nuk mund të vijnë pa ndihmën dhe bashkëpunimin iranian. Me një ndikim të madh midis shiitëve në mbarë botën, Irani ka influencë të dukshme në Siri, Irak e Afganistan, si dhe në lëvizjet Hamas dhe Hezbollah, të cilat veprojnë në vende ku Izraeli dhe rrjedhimisht SHBA ka interesa jetike. Shembujt e bashkëpunimit midis ish-presidentit Mohamad Khatami dhe presidencës Klinton në ditët e saj të fundit dhe asaj Bush në ditët e para, mësojnë se bashkëpunimi është një eksperiencë e provuar e me rezultate pozitive në të shkuarën.

Udhëheqësi suprem i republikës islamike, Ajatollah Ali Khamenei, është zgjedhur në këtë post, pas vdekjes së Khomeinit në qershor të vitit 1989, dhe është një politikan kontroversial, i cili krahas mosnjohjes së Izraelit, dënon riarmatimin atomik (???) dhe inkurajon përhapjen e internetit dhe aksesin masiv të tij. Ndërsa Presidenti Obama ka premtuar se është i vendosur të shtrijë dorën e bashkëpunimit pa parë në të kaluarën dhe me premtimin e heshtur se politika e mëpasshme e presidencës amerikane do jetë e prirur drejt gjetjes së rrugës së bashkëpunimit në zgjidhjen e konflikteve.

Sa i kanë kuptuar ajatollahët e Teheranit impulset e brendshme të shoqërisë iraniane për ndryshim dhe sa janë të vendosur Shtetet e Bashkuara të durojnë kohën e nevojshme që ky vend të marrë rrugën drejt modernizmit, pa kthesa traumatike, kjo mbetet për t‘u parë në muajt që vijnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›