E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kopshti i vishnjave"

Të sjellësh Çehovin në skenë është e vështirë, sepse ai është një autor gjeni... nuk pranon të nënvlerësohet, as të merret me mendjemadhësi. Çehovi është tekanjoz, i brishtë, i butë dhe poet. Për të ngjitur në skenë një vepër të këtij autori të madh rus, së pari duhet t‘i afrohesh sinqerisht dhe thjesht. Këto janë ndjesitë e regjisorit Kiço Londo, i cili po përgatitet të inaugurojë skenën e Teatrit të Metropolit me komedinë "Kopshti i vishnjave" të Çehovit. Ditët e para të muajit prill, Teatri i Metropolit, institucioni më i ri teatror që po ngrihet në mjediset e Estradës së Tiranës, me mbështetjen e bashkisë, do të hapë dyert për publikun. Për herë të parë në këtë skenë të re ata do të shijojnë veprën e njërit prej dramaturgëve më të mëdhenj rus. "Zgjodha Çehovin, sepse gjithnjë kam menduar që një teatër i ri ka nevojë për një thirrje të fuqishme dhe thirrje më të bukur se Çehovi e se ‘Kopshti i vishnjave‘ nuk mund të ketë për një teatër të fillimshekullit të 21. Kjo është arsyeja e parë përse zgjodha të çelja këtë teatër me një autor si Çehovi. Në të njëjtën kohë jam i mendimit se shfaqja e parë e Teatrit të Tiranës duhet të orientohet kryesisht ndaj së resë, ndaj mentalitetit dhe konceptit të ri, për këtë arsye ‘Kopshti i vishnjave‘ ka një kast aktorësh tërësisht të rinj", thotë drejtori i Teatrit të Metropolit, njëkohësisht edhe regjisori i shfaqjes, Kiço Londo.

Komedia flet për aristokracinë ruse, për një familje e cila kthehet edhe një herë në pronat e saj (këtu përfshihet edhe një kopsht me vishnja), të cilat i vendos në shitje. Fillimisht historia vërtitet rreth mundësive të ndryshme për të ruajtur pasuritë e familjes, e megjithatë në fund detyrohet të lëri pasurinë. Kopshtin e blen dikush që ka vendosur të presë vishnjat. Në skenën finale, familja largohet me zhurmën e pemëve që po priten. Vepra është një reflektim ndaj forcave kulturore që ndërveprojnë në botën e asaj periudhe, përfshi këtu edhe dinamikat socio-ekonomike, me lindjen e borgjezisë dhe me dekadencën e aristokracisë.

Ai e vlerëson "Kopshtin e vishnjave" si një nga diamantet më të bukur të kurorës së dramaturgjisë së artë të teatrit botëror. "Unë mendoj se kjo vepër ka edhe diamantin më të bukur. Uroj që ajo që kemi vendosur dhe ajo çka kemi shpenzuar në kuptimin e energjisë, dëshirave, pasioneve dhe ëndrrave t‘i pëlqejë publikut", komenton ai.

"Kopshti i vishnjave" është një komedi, por ashtu si edhe çdo vepër tjetër e Çehovit, ajo është në të njëjtën kohë edhe një dramë. Regjisori Londo thotë se kjo vepër të krijon hapësira të mjaftueshme për të sjellë atë në skenë parë nga këndvështrimi e shija që ajo të lë pasi e ke lexuar. "Them se në optikën tonë, në qendër të veprës, është mungesa e veprimit dhe mungesa e komunikimit. Këto dy elemente, në realitetin tonë të brendshëm, janë shumë të dukshme, shumë të prekshme", thotë Londo. Ajo që vazhdon ta bëjë të dashur e të ndjeshme për publikun e kohëve tona këtë vepër të Çehovit është pikërisht koherenca. "Vetëm veprat e mëdha, ato që merren me gjërat që nuk ndryshojnë, siç është ‘Kopshti i vishnjave‘ në momente të caktuara, në një hapësirë të caktuar, i flasin shumë herë më mirë njeriut, shpirtit të tij, ndjesive dhe ëndrrave. ‘Kopshti i vishnjave‘ u flet njerëzve më shumë se çdo vepër e shkruar në mënyrë të zakonshme, edhe pse ndoshta mund të jetë bashkëkohore", vazhdon më tej ai, duke shpjeguar se vetë fati njerëzor është si fati i kopshtit të vishnjave, i kopshtit që për shkak të ndryshimeve të mëdha sociale, përjeton në mënyrë komike dhe në mënyrë tragjike prerjen e tij. Kështu, edhe shoqëria jonë, për shkak të mungesës së veprimit, shpesh merr kahun e gabuar. "Është një optikë komplekse, që mendoj se rri shumë mirë me kohën".

"Kopshti i vishnjave" do të ngjitë në skenë 13 aktorë, mes tyre Eni Janin, Alban Krasniqin, Loredana Gjeçin, Devis Mukën, Roland Saron, Bledar Naskën etj. Ata të gjithë janë aktorë të rinj, të cilët kësaj here po përballen me një vepër të madhe, e në të njëjtën kohë edhe me emocionet e një skene të re, siç ata vetë janë. "Nuk është e lehtë që këta aktorë të rinj të përshtaten me një vepër të shkruar nga një autor si Çehovi, por ata janë të zgjuar dhe mundohen ta kuptojnë veprën. Po derdhin të gjithë energjinë e tyre aktoriale. Janë të sinqertë, plot pasion dhe mbi të gjitha ndihen mirë për këtë hapësirë që u është vënë në dispozicion, sepse ky teatër mbi të gjitha u kushtohet atyre. E, ndërsa përkthimi vjen edhe një herë nga një përkthyese e re e quajtur Besi Londo, regjisori kujton se e ka lexuar për herë të parë veprën e Çehovit rreth 27 vite më parë, përkthyer nga Sjefulla Malëshova. "Ishte një përkthim i realizuar nën kornizat e kohës, nga një intelektual i klasit të parë, por gjithsesi me një lloj folklorizmi brenda. Ne kemi një përkthim të ri, që është realizuar enkas për këtë shfaqje", shton ai. Skenografia i është besuar Berinda Kokonës, ndërsa është menduar që duke nisur nga muaji prill, "Kopshti i vishnjave" të shfaqet 20 herë në skenë, deri në fillim të muajit maj. Për të inauguruar këtë teatër të ri të Tiranës, përveç personaliteteve të vendit, do të jetë i ftuar edhe Ion Karamitro, drejtor i Teatrit Kombëtar Rumun. Ai është një aktor me origjinë nga Korça, i cili vlerësohet si një nga personalitetet më të mëdha teatrore në Evropë, por edhe më gjerë. Është vlerësuar dhe me çmime të ndryshme për pjesët teatrale që ka sjellë në skenën e Teatrit të Bukureshtit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›