E Diel, 1 Nëntor 2026

"Besa" shqiptare mbërrin në Ramla të Izraelit

Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, të përjetësuar në imazhe fotografike, mbërrijnë në qytetin Ramla të Izraelit. Përfaqësia e Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit, në bashkëpunim me Bashkinë e Ramla-s dhe Muzeun Yad Vashem të Jerusalemit kanë hapur ekspozitën e fotografit amerikan Norman Gershman, "BESA - Kodi i Nderit. Myslimanët shqiptarë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit". Ceremonia zyrtare e hapjes së ekspozitës më 18 mars, u organizua në Muzeun e qytetit të Ramla-s, në prani të ambasadorit shqiptar në Izrael, z. Tonin Gjuraj dhe kryetarit të bashkisë së qytetit, z. Yoel Lavi. Ekspozita fotografike, e prezantuar në disa vende të botës, pak kohë më parë edhe në Galerinë e Arteve në Tiranë, në Ramla është çelur në dy gjuhë: hebraisht dhe arabisht, meqenëse ky qytet i Izraelit është një qytet tipik shumëfetar, me popullsi të përzier hebrenje, myslimane e të krishterë. Vizitorë të shumtë, studentë, nxënës të shkollave të mesme, por edhe përfaqësues të pushtetit lokal, kanë treguar interes të madh për ekspozitën, edhe pse disa prej tyre pranonin mosnjohjen e një akti të tillë prej shqiptarëve. Kjo, përveç të tjerave, edhe si pasojë e izolimit të vendit tonë për një kohë të gjatë. Në përshëndetjen e tij, kryetari i Bashkisë së Ramla-s, z. Lavi, shprehu mirënjohjen e vendit të tij për Shqipërinë e shqiptarët, duke nënvizuar gjithashtu se ai ishte personalisht shumë i nderuar që, pas Jerusalemit në nëntor të 2007-ës, një ekspozitë e tillë arriti të hapej në qytetin që ai drejtonte prej shumë vitesh. Kurse ambasadori i RSH-së, z. Tonin Gjuraj, në fillim ka shprehur mirënjohjen për Bashkinë e Ramla-s dhe ka falënderuar fotografin e njohur amerikan, Norman Gershman, për lartësimin që i ka bërë këtij akti fisnik të shqiptarëve dhe përmasat e dhëna. Më tej, ambasadori Gjuraj, midis të tjerave, është përqendruar më shumë në zbërthimin e konceptit etik të besës në të drejtën zakonore tradicionale shqiptare, në strukturën etike të kodit të sjelljes midis shqiptarëve, duke argumentuar se ky kod i përkiste dhe u përket shqiptarëve njëlloj, pavarësisht feve të ndryshme. Ekspozita, e cila është quajtur nga Muzeu Yad Vashem në Jerusalem një "Ekspozitë Udhëtuese", do të qëndrojë e hapur në qytetin e Ramla-s deri në fund të prillit 2009 dhe më pas do të hapet edhe në disa qytete të tjera izraelite, si në Haifa, Ako, Beersheva etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›