DITELINDJA E GJASHTEDHJETE E SHTETIT TE LIBRIT
1.
Librat mbushnin shtëpinë, babai mund të lexonte në gjashtëmbëdhjetë a shtatëmbëdhjetë gjuhë, mund t‘i fliste njëmbëdhjetë, që të gjitha me theks rus. Nëna mund të fliste katër a pesë dhe të lexonte në shtatë a tetë. "Nga konsiderata intelektuale, ata lexonin libra kryesisht në anglisht dhe gjermanisht, dhe mbase ëndërronin në ‘yiddish‘. Por të vetmen gjuhë që ma mësuan ishte hebraishtja".
Kështu fillon përshkrimin e familjes së tij shkrimtari izraelit Amos Oz, në kryeveprën autobiografike "A tale of Love and Darkness" ("Një rrëfim i dashurisë dhe errësirës"), që para disa vitesh shkaktoi një këso recensioni në gazetën italiane "La Repubblica": "Nëse keni edhe dy ditë jetë, atëherë duhet të bëni edhe një gjë që të mos vdisni me ndjenjë ndjese, e kjo është të lexoni këtë libër".
Përshkrimi që i bën Oz familjes së tij, që nga fillimi, shndërrohet në metaforën përshkruese të shtetit të ri, Izraelit. Ashtu si familja e tij, edhe shteti i Izraelit do të ndërtohej nga njerëz që tërhiqnin me vete gjuhët që i kishin mësuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, thekset e rënda austriake, lituaneze, polake a ruse, rrëfimet e Bukovinës dhe turshitë e dimrave të rëndë. Në veçanti, njerëz që tërhiqnin me vete ndjenjën e adhurimit të librit dhe ndjenjën e përndjekjes kolektive.
Izraeli, i cili këto ditë mbush gjashtëdhjetë vjet ekzistimi, është ai i familjes së Amos Ozit. Një projekt evropian, me njerëz që mbijetuan gjenocidin në Evropë dhe që u shpërblyen me shtet, për shkak të ndjenjës së fajësisë së atij kontinenti nga shkaku i njohur i gjenocidit. Një projekt i determinuar i mendimit të majtë evropian, i cili, i quajtur Cionizëm dhe i prirë nga Theodor Herzl, do të kishte dy drejtime të ndërlidhura: ndërtimi i një shteti barazie sociale dhe ndërtimi i këtij shteti brenda një konteksti etnik hebrait.
Amos Oz ishte si fëmijë, dëshmitar i lindjes së këtij shteti të ri evropianësh në cepin perëndimor të Azisë. Një natë e gjatë vallëzimi, kënge e hareje të njerëzve të trishtuar deri në luftë ekzistence, që kishin kaluar tërë historinë pa shtetin e tyre, por me një libër të shenjtë, Talmudin, mësimet e Dhiatës së Vjetër, dhe disiplinën për të lexuar, shkruar, shënuar, mbajtur mendjen dhe memorien kolektive. Libri kishte ruajtur gjuhën dhe fenë, që të dyja të ndërlidhura si nyje e vetme identiteti që do t‘i ruante gjatë dymijë viteve mërgimi nëpër botë.
2.
Natën e lindjes, Izraeli, me votimin në OKB, do të vinte në jetë si produkt i librave të akumuluara të popullit që do të vendosej në të. Do të jetë shteti i shkrimtarëve rus, pjesët të të cilëve një pjesë e popullatës do ta dinte përmendësh. Ai i filozofëve gjermanë, të cilët, përkundër Hitlerit, do të konsiderohen në shtetin e ri më të ngritur se mendimtarët e popujve të tjerë. Do të jetë ai të dramaturgëve anglezë, poetëve irlandezë, psikologëve të Austrisë, romancierëve francezë... Natyrisht, do të jetë edhe ai i Herzlit, e krahas me të, edhe Marksit.
Do të jetë shteti i librave të akumuluar në Bibliotekën e Mount Scopusit, ku punonte babai i Amos Ozit, punë të cilën do ta konsideronte edhe ai, dhe të tjerët, si pjesë të rëndësishme të shtet-ndërtimit. Dhe bibliotekë, e cila do simbolizonte gjashtëdhjetë vitet e ardhshme të shtetit të ri të Izraelit. Mëngjesin e pavarësisë së Izraelit, shtetet arabe kishin mbajtur paralajmërimin e dhënë dhe kishin filluar sulmin ndaj Hagadës, ushtrisë sekrete hebreje, por në masë të madhe dhe popullsisë civile. Në kthesën që çonte për në bibliotekën e Universitetit hebrait në Jerusalem, u vu një pritë arabe, dhe u vranë me dhjetëra studentë e profesorë hebrenj, që, të zënë nga zjarri, ishin përpjekur të ktheheshin në shtëpi, nën mbrojtjen e forcave paqësore të OKB-së (një mik imi, profesor i vjetër hebrait, duke ma treguar vendin e vrasjes, do të më përsëriste ngjashmëritë e mosbesimit që kemi hebraitët dhe kosovarët, ndaj OKB-së, gjegjësisht paqeruajtjes së kësaj organizate).
Mëngjesin e lindjes së shtetit të ri, më 1948, do të niste edhe një konflikt i gjatë, i cili është ende i gjallë deri në ditët tona. OKB-ja kishte ndarë në dysh Palestinën e administruar në mandatin britanik. Në njërën pjesë duhej të lindte shteti i hebrenjve, i projektuar në librat e tyre, në tjetrin shteti palestinez, i përcaktuar nga ekzistenca e popullatës arabe që jetonte aty.
3.
Atë ditë do të fitonte dhe do të fillonte të humbiste ideja e Cionizmit. David Ben Gurion, prijësi i shtetit të ri, shpjegon në librin e tij se Amos Oz kishte në vete kërshërinë për gjithçka dhe në mendimin e tij ndërlidheshin sa mbrojtja ekzistenciale e shtetit prej sulmeve arabe, aq edhe përqendrimi në vaditjen e tokave, apo ngritjen e kapaciteteve të blegtorisë. Qe një figurë e jashtëzakonshme, që kishte mësuar greqishten që ta lexojë Platonin në origjinal, kishte hyrë te Hegeli e Marksi, ishte interesuar thellë për Budizmin dhe kishte studiuar Spinozën aq sa ta konsideronte veten spinozist. Përgjatë historisë së vrullshme të vendit, Izraeli kishte arritur që të ruante jo vetëm tërësinë tokësore të vendit (bile territori ishte zgjeruar dukshëm me luftërat 1948-1968), por shteti ishte aftësuar edhe për ta mbajtur veten me prodhim të brendshëm. Si Kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, Ben-Gurion kishte ende përqendrimin që të merrej me gjithçka, thotë Oz, prej analizës së vijave mbrojtëse ushtarake e deri te greva e postierëve.
Më 1968, Izraeli, i rrethuar me ushtritë arabe që ende mbanin mend humbjen në luftën me shtetin e ri më 1948, arriti për gjashtë ditë t‘i shkatërrojë, të zgjerojë territorin e vet në territoret e sotme të pushtuara palestineze që atëherë ishin të Jordanisë, rrafshnaltën e Golanit që i përkiste Sirisë, si dhe territoret egjiptiane (që më vonë do t‘i ktheheshin me marrëveshje paqeje). Gjatë asaj jave, numrave të refugjatëve palestinezë, disa prej të cilëve Oz i përshkruan si fëmijë bashkëmoshatarë, do t‘u shtohen me qindra mijëra të tjerë. Dhe, gjatë asaj jave, ideja e Cionizmit, e prodhuar nga librat e sjellë nga hebrenjtë e shpërndarë anekënd Evropës, do të ballafaqohet me sfidën e re të akomodimit të shtetit kombëtar bashkëkohor evropian e atij mesjetar religjioz, në një ambient krejt tjetër. Emigrantëve evropianë, si retribucion për humbjen në luftë, iu bashkuan emigrantët e rinj hebraitë nga shtetet arabe.
Atë javë, shteti i librit u promovua si një hegjemon ushtarak në Lindjen e Mesme.
4.
Izraeli, në 60-vjetorin e tij, jeton me kundërthënie të theksuara të brendshme. I projektuar të jetë shteti i hebrenjve, sot ka së paku 20 për qind të popullatës arabe, që ka lindshmëri shumë më të madhe. I projektuar të jetë shteti i drejtësisë demokratike e sociale, sot është shtet që u jep shanse të barabarta vetëm hebrenjve, ndërsa është shtypës për arabët izraelitë e okupator për palestinezët. I filluar si projekt dijetarësh të lexuar, viktima të përndjekjes, sot, duke përndjekur palestinezët në një regjim apartheidi, ka mbërritur fundin e projektit.
Vetë Oz, figurë e identifikueshme intelektuale, ka qenë dhe është një prej avokatëve të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Por, siç do të kuptohet nga leximi i librit të tij të mrekullueshëm, kjo do të varet pikësëpari prej një procesi të ridefinimit të asaj që dikur ishte Izraeli, shteti i librit.