E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nacionalizmin apo te ardhmen evropiane?

Sot, serbët do të vendosin me vullnetin e tyre në votime, nëse do t‘i bashkohen familjes së madhe evropiane, apo do ta sakrifikojnë të ardhmen e tyre në emër të nacionalizmit dhe Kosovës. Rruga që do të zgjedhin përcaktohet lehtë nga emri që do të shënojnë me kryq në fletën e votimit; nëse do të zgjedhin një përfaqësues të partisë së Tadiç apo atë të partisë së Nikoliç.

Nëse serbët votojnë kundër Bashkimit Evropian në favor të një qeverie nacionaliste të vijës së ashpër, atëherë ata do të jenë të vetmit në Ballkan që rreshtohen hapur kundër bllokut të vendeve anëtare të BE. Sondazhet thonë se gjasat janë 50 me 50, madje me disa qindra vota edhe në favor të nacionalistëve. Ka shumë qytetarë serbë që mendojnë se e ardhmja e Serbisë nuk është me nacionalistët, por mbështetja për këta të fundit nuk është e pakonsiderueshme.

Vota kundër BE-së do ta shtyjë Serbinë drejt një nacionalizmi vetmitar, shto këtu edhe kontributin negativ kundrejt strategjisë perëndimore për stabilizimin e rajonit me anë të bashkimit të shteteve ballkanike nën çatinë e Bashkimit Evropian.

Gjithçka bëhet në emër të "nderit të Serbisë". Nacionalistët këmbëngulin se nderi i vendit është në rrezik. Sipas tyre, populli serb nuk mund t‘i bashkohet kaq lehtë Bashkimit Evropian, duke pranuar më në fund se Kosova nuk do të jetë më pjesë e Serbisë, por një vend i pavarur. Fanatikët vazhdojnë të shkruajnë në muret e godinave të Beogradit shprehjen "BE, jo faleminderit", ndërsa mbështetësit e Bashkimit Evropian thonë se Serbia i përket Evropës, por megjithatë ata ende nuk guxojnë të pranojnë hapur se Kosova është shteti më i ri fqinj i tyre, mbi të cilin nuk kanë më asnjë të drejtë.

Boris Tadiç, që cilësohet si një lider properëndimor, shprehet se Kosova mbrohet vetëm duke forcuar ekonominë serbe, fjalë që cilësohen jo të drejtpërdrejta nga rivali i tij ultranacionalist Tomislav Nikoliç, i cili gjithashtu mendon se Serbia ndodhet në një udhëkryq shumë të rëndësishëm, por vazhdon të sfidojë Perëndimin lidhur me çështjen e Kosovës. Kjo situatë duket se po i lodh edhe vetë serbët, të cilët ende nuk dinë t‘i japin përgjigje pyetjes nëse në këtë sfidë do të fitojë krenaria dhe kryeneçësia nacionaliste apo tendenca properëndimore??

Me gjithë këto qëndrime të njohura radikale apo me mefshtësinë e Serbisë për të dorëzuar në Hagë kriminelët e luftës, Bashkimi Evropian nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe premtoi lehtësimin e marrjes së vizave për qytetarët serbë që duan të lëvizin në vendet e bllokut të BE.

Perëndimi kërkon të afrojë Serbinë kryeneçe, pa lëshuar pe për Kosovën, por me sa duket nacionalizmi serb i ka rrënjët të thella dhe do të duhen kohë që Serbia të ndihet rehat në familjen e vendeve me orientim nga Perëndimi. Se sa kohë do të duhet për këtë, do ta kuptojmë nga rezultati i zgjedhjeve të së dielës.

Po t‘u referohemi zgjedhjeve presidenciale, ku Tadiçi e mundi Nikoliçin, mund të pritet që elektorati të mbështesë properëndimorët, por disa sondazhe të bëjnë pesimist kur rreth 100000 njerëz më shumë janë shprehur pro Nikoliçit. Megjithatë ajo që do të ndodhë të dielën nuk dihet me saktësi. Serbët duhet të reflektojnë para kutisë së votimit; të bëjnë "prapakthehu" duke u tërhequr nga thirrjet nacionaliste të së shkuarës apo të ecin kah e ardhmja, duke u bërë realisht pjesë e vendeve të bllokut evropian, me interesa të njëjta e ide perëndimore.

Më shumë se sa në interes të Kosovës, e gjitha kjo është në interes të vetë Serbisë e të popullit serb...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›