DOHA – Katari intercepton një tjetër raketë nga Irani

KAJRO, 17 mars /ATSH-DPA/ – Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ushtria e Katarit ka njoftuar se ka interceptuar një sulm të dyshuar me raketë nga Irani në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Në një deklaratë në rrjetin X, ministria bëri të ditur se forcat e armatosura ”kanë mënjanuar një sulm me raketë që kishte në shënjestër shtetin e Katarit”.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme raportoi se ekipet emergjente po shuanin një zjarr të vogël të shkaktuar nga mbetjet e raketës së rrëzuar.
Sipas autoriteteve, nuk janë raportuar të lënduar.
Katari ka raportuar deri tani dhjetëra sulme me raketa dhe dronë nga Irani, ndërsa ka rrëzuar edhe dy avionë luftarakë iranianë.
Vendi gjithashtu strehon bazën e rëndësishme ushtarake amerikane ”Al-Udeid”.
Pavarësisht tensioneve, Katari ka ruajtur marrëdhënie diplomatike me Iranin për dekada, ndërsa të dy vendet ndajnë një nga fushat më të mëdha të gazit në botë në rajonin e Gjirit.
Në një zhvillim të veçantë, Qendra e Operacioneve të Tregtisë Detare të Britanisë së Madhe (UKMTO) njoftoi se një anije cisternë është goditur nga një objekt i panjohur pranë brigjeve të Omanit, duke pësuar dëme të lehta strukturore.
Nuk raportohet për të lënduar apo ndotje mjedisore.
Sulmet ndaj anijeve në Gji, Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit janë shtuar që nga fillimi i luftës me Iranin, e cila u shkaktua nga ofensiva SHBA-Izrael më 28 shkurt.
Që atëherë, Irani ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë në rajon dhe ka vendosur mina në Ngushticën strategjike të Hormuzit, duke penguar ndjeshëm trafikun tregtar detar./ /Ad.Ab./ a.jor.