E Shtunë, 31 Tetor 2026

DOSJA/ Vrasës në drejtim të paditur

Janë ekzekutuar me plumb e eksploziv, kanë humbur jetën në vende publike, por autorët e krimeve vazhdojnë të jenë të lirë. Një serial vrasjesh që kanë mbetur mister dhe kanë tronditur opinionin në vendin e dytë në Evropë me nivelin më të lartë të vrasjeve, me katër-pesë të tilla për 100 mijë banorë. Një dosje me ekzekutimet më të rënda me viktima që nga njerëzit e politikës, tek të skeduarit nga policia e deri tek qytetarët e pafajshëm. Një dosje për krimet e rënda të vetëm tre vjetëve të fundit, një dosje e pambyllur që fatkeqësisht vijon

Nga Lorenc Vangjeli

JAVA

Nuk ka asnjë centimetër (katror) të territorit të Republikës së Shqipërisë që nuk është i policuar dhe i sigurt. Ka lagje në Paris dhe në Bruksel që policia nuk i ka 100 për qind nën kontroll. Njeriu që flet kështu është ministri i ri i brendshëm shqiptar, Flamur Noka. Nëse Noka e ka sinqerisht dhe e beson këtë që thotë, ky do të ishte një lajm i mirë, por realiteti në vend ngjan shumë më i zymtë. Edhe nga interpretimi i statistikave, me rreth 4.5 vrasje për 100 mijë banorë, edhe me zona të tëra të vendit jashtë kontrollit të policisë. Në rastin e parë, Shqipëria lë pas nga niveli i vrasjeve vetëm republikën ish-sovjetike të Lituanisë, në rastin e dytë, Lazarati apo zona të tjera të thella të vendit, e shohin praninë e policisë vetëm kur ndodhin krime të rënda apo në aksione tip fushate antidrogë. Por nuk është ky problemi më i madh. Policia ka sukses në zbulimin e autorëve të vrasjeve kryesisht në krimin ordiner brenda familjes; atëherë vrasësi identifikohet lehtë. E njëjta gjë edhe në rastet e vrasjeve për gjakmarrje, në të cilat shpesh autori e quan pjesë të veprës kriminale edhe autoidentifikimin. Zbulueshmëria është mjaft problematike në vrasje të tjera që kanë tronditur opinionin publik, motivet e të cilave mbeten mister dhe po mister mbeten dhe autorët e pandëshkuar.

Revista Java liston një numër krimesh të rënda. Më i vjetri i tyre ka ndodhur vetëm tre vjet më parë. Shumë më shumë se kjo listë, janë të tjera krime vrasjeje të cilat kanë mbetur prej vitesh pa autor. Ekzekutime të frikshme me eksloziv, me zjarr dhe breshëri automatikësh të cilat kanë mbetur ende në dosjet e policisë nën shënimin: për hetime të mëtejshme.

Fatmir Xhindi, deputeti socialist

Në 3 maj 2009, Fatmir Xhindi, deputet i Partisë Socialiste qëllohet me kallashnikov në mbrëmje, në oborrin e banesës së tij në Roskovec, Fier. 49 vjeçari kishte mundur të mbijetojë deri në spital, por aty e humbi betejën për jetën. Partia Socialiste e konsideroi vrasje politike aktin kriminal, ndërsa policia premtoi se do të përfshinte në hetim specialistët e saj më të mirë për zbardhjen e krimit. Edhe pse u shoqëruan dhjetra të dyshuar, edhe pse u dhanë afate pas afatesh për zbulimin e autorit të mundshëm, tre vjet më pas, nuk është bërë asnjë hap për një gjë të tillë. Madje, nuk janë saktësuar as pistat e mundshme të krimit.

Skerdilajd Konomi, gjykatës,

Kanë qenë fatale vetëm disa qindra metra udhëtim me mjetin e tij për Skerdilajd Konomin, gjykatës në gjykatën e rrethit të Vlorës. Në paraditen e 9 shtatorit 2011, në bulevardin e Skelës të qytetit të Vlorës, makina e 33 vjeçarit u hodh në erë nga një shpërthim i fuqishëm eksplozivi. Dhe çfarë nisi eksplozivi, e përfundoi zjarri që shpërtheu në makinë që i morri jetën në mënyrë të tmerrshme gjykatësit të ri. Pista kryesore e hetimit ishin çështje të diskutueshme pronësie. Edhe pse policia mëse njëherë pretendoi se ishte pranë zbardhjes së autorëve të krimit të rëndë dhe të konsideruar atentat mafioz nga mënyra e ekzekutimit, ata kanë mbetur ende të panjohur.

Remzi Veseli, kryekomunar

Në 25 tetor 2010, ishte radha e një tjetër viktime të lidhur me politikën. Remzi Veseli, kryetar i komunës Tërthore në Kukës, është qëlluar në automjetin e tij me armë zjarri ndërsa po kthehej në shtëpi. U ndaluan dhjetra persona për tu marrë në pyetje, por askush nga ta nuk u arrestua. Sipas policisë që afroi dhe një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për informacionet që do të sillnin arrestimin e vrasësit, askush nga të shoqëruarit, nuk provohej se kishte qëlluar mbi Veselin. Dosja e tij ndodhet sërish në polici për tu hetuar dhe vrasja ka mbetur pa autor.

Aleks Keka, veprimtari i PDK-së

Më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, në datën 19, në mesditë, automjeti i Aleks Kekës, kryetar i degës lokale për Malësinë e Madhe të PDK-së, u hodh në erë nga një sasi eksplozivi C4. Ngarkesa e vdekjes u vu në funksionim nëpërmjet celularit. Policia nënvizoi se viktima kishte pasur precedentë penalë, të njëjtën linjë ndoqi dhe politika zyrtare e djathtë, çka shkaktoi shkëmbim të nxehtë replikash me demokristianët. Edhe kjo vrasje vazhdon të klasifikohet pa autor në dosjet e policisë.

Eleni Basho, laborante dentare

Po kthehej në shtëpi në një mbrëmje me shi kur e qëllojnë me pistoletë pas shpine. Eleni Basho, nënë e dy fëmijëve të mitur u qëllua për vdekje në 2 shkurt 2012 dhe nuk mundi tu mbijetojë plagëve të marra. Ditë më pas, policia pretendoi se krimi ishte porositur nga bashkëshorti i saj, i cili u arrestua, edhe pse kishte një alibi të provuar që e mbante atë larg nga vendi i krimit. Motivi: një lidhje jashtëmartesore e tij e zbuluar nga viktima. Por vetëm pak muaj më pas, vetë policia tërhiqet nga akuzat e saj sepse nuk mundi ta vërtetojë atë dhe burri i dyshuar rifitoi lirinë.

Megi Jokiçi, farmaciste

Po atë ditë, në 2 shkurt 2012, vetëm një orë mbas vrasjes së parë në periferi të Tiranës në Shkozë, Megi Jokiçi qëllohet ndërsa qëndronte në automjetin e saj në fillim të rrugës Komuna e Parisit. Plumbat e nisur për një tjetër shënjestër i morrën jetën farmacistes së re. Edhe pse në një zonë mjaft të populluar, edhe pse dëshmitarë okularë kishin mundur të dallonin vrasësin që kishte mundur të largohej më këmbë nga vendi i krimit, ai ende ka mbetur pa emër për policinë dhe pa ndëshkim nga drejtësia.

Isa Çoba, punonjës i SHISH

Mister ka mbetur edhe ekzekutimi në stil mafioz i punonjësit të SHISH Isa Çoba në 25 tetor 2011. Çoba u gjet i djegur brenda automjetit të tij në mesnatë në zonën e Currilave në Durrës. Fillimisht u dyshua për vetëvrasje, por më pas, ekspertiza dëshmoi se viktima ishte qëlluar më parë për vdekje dhe më pas ishte djegur me benzinë. Edhe pse për zbardhjen e krimit u angazhuan specialistët më të mirë të antikrimit, sërish ai

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›