E Shtunë, 31 Tetor 2026

Popujt e pazhvilluar kanë nevojë për ëndrra

Shpesh e kam të vështirë të marr vesh se në cilën
kohë jetoj. Jam i bindur se kështu si unë,
shumë të tjerë nuk orientohen dot me kohën
si nocion historik. Nëse do t‘i besoja asaj që
shoh, më duhet të them se jetoj në një regjim me
shumë parti dhe vetëm me një udhëheqës; nëse do t‘i
besoj asaj që ndiej, më duhet të këndellem me
shpresën se jetoj në kohën e ekonomisë së tregut, kohë
në të cilën të gjithë mund të shitemi, por jemi të detyruar
të blejmë vetëm çmenduritë e atyre që na drejtojnë.
Po të nis e të rrëmoj në kujtesë për të marrë vesh se nga
cila kohë vij, më duhet të them se rrjedh nga e njëjta
kohë, pra jam lindur nën diktaturë dhe jetoj me lirinë
për t‘iu nënshtruar vetë autoritarizmit mediokër të një
regjimi që unë e zgjedh vetë dhe kam lirinë e nënshtrimit.
Dhe ngaqë e kam zgjedhur vetë, unë, meqenëse
jam i lirë, vuaj ashtu siç e meritoj; e zgjedh vetë poshtërimin
dhe jetoj i papërfillur dhe pa asnjë të drejtë
për të ndryshuar, sepse liria ime mediokre më detyron
të ndjehem i gëzuar kur zgjedh atë që do të jetë për
shumë kohë ndjenja ime e të vjellit, pështjellimi i zorrëve
kur të vijnë në grykë.
Të gjitha këto unë i meritoj, sepse unë jam i lirë dhe
jetoj në një kohë që lirinë e kam model, një model që
nuk mund ta shmang. Këtë arsyetim e bëj shpesh dhe
sa herë që përpiqem të marr vesh se përse vetëm ne
shqiptarët vuajmë në mënyrë kronike nga mungesa e
dritave, përse vetëm ne shqiptarët jemi përfshirë tërësisht
nga afshi i mediokritetit kolektiv, përse vetëm ne
po i shuajmë elitat dhe po ngremë në kult gjithë llumin
intelektual, përse nuk prodhojmë dot filma, përse
nuk kemi modele që t‘i imitojmë, përse nuk... Si ka
mundësi që vetëm ne jemi të përjashtuar nga qarkullimi
kulturor ndërkombëtar; si ka mundësi që stofi ynë
social është shthurur deri në atë masë sa asnjë fije nuk
mund të lidhet. Dhe si ka mundësi që vazhdojmë të
jemi të gëzuar, vazhdojmë të sillemi si fëmijë dhe nuk
na bën më përshtypje se universitetet tona nuk prodhojnë
më elita, se ajo që quhet shoqëri civile nuk ekziston,
ngaqë nuk arrin t‘i imponohet shoqërisë me ide,
ngaqë Kryeministri i radhës i bën menjëherë shërbëtorë
të zyrës periferike më të largët, nuk kemi më komunitet
artistësh që të jenë të rrethuar nga turma dhe
nga fotografët, se nuk kemi më produkte "Made in Albania",
se kemi vënë gjithçka nën morsën e dyshimit
sharlatan dhe tani nuk ka më kufij, se për problemet
më të holla filozofike mund të bëhet ekspert dallkauku
i radhës në më të parin emision televiziv. Pse u shuajt
letërsia artistike dhe pse po shuhet letërsia si e tillë,
pra kujtimet, librat psikologjikë, historikë, shkencorë...
Në cilën kohë jetojmë?
Por është e vërtetë se jetojmë në atë kohë që quhet
epoka "Cyberespasse" dhe
vetëm në këtë epokë liria për të
zgjedhur është i vetmi autoritet
që të mban në ekuilibër. Kështu,
ti mund të arratisesh me lehtësinë
më të madhe nga vendi yt dhe
gjithë ato nuk i mbush me atë që
sheh e lexon jashtë arealit, ku je i
dënuar nga rutina e mungesës së
dëshirës që të jetosh në vend që
të arratisesh. Dhe ti merr vesh se
Papa Benedikti XVI në enciklikën
e fundit merret me iluminizmin
dhe marksizmin dhe thotë se
këto filozofi, që u përpoqën të
ndriçonin jetën tokësore, i sollën
njerëzimit shkatërrim dhe e ka
fjalën për revolucionin francez
dhe atë që bëri komunizmi në
vendet e Lindjes. Ti ndjehesh i
vlerësuar se në këtë rast edhe ti je
përfillur ngaqë ke qenë dëshmitar
i së keqes për 50 vjet. Më tej,
ndjek një aktor të famshëm italian,
Benignin, që komenton e interpreton
për tri orë rresht këngën
V të "Komedisë Hyjnore" të
Dantes dhe mban të mbërthyer
para ekranit nëntë milionë
teleshikues vetëm në Itali. Mirëpo
aty ti merr vesh një detaj që
askush nuk ta kishte thënë më parë. Kënga V është ajo
që i kushtohet Paolo Malatestës e Françeskës. Françeska,
-thotë Benigni- është një lloj Lejdi Diana e epokës
sonë dhe gjithë tragjedia ndodhi se ai që shkoi për të
çuar letrën që e kërkonte për martesë, ishte vëllai, Paoloja,
shumë i bukur. Ajo besoi një çast se do të martohej
me të. Por në fakt ishte i vëllai i tij, i shëmtuar, që e
kërkonte për martesë. Dhe kjo dashuri me shikim të
parë i çoi në varr Paolon e Françeskën.
Pastaj, të gjitha stacionet televizive merren me
Putinin. Por komenti më i hollë është ai amerikan. Rusia
nuk ka demokraci, ka vetëm një pushtet. Partia e Putinit
kërkon vende në Parlament që të emërojë
udhëheqës, jo të delegojë pushtetin e popullit. Putin
është në majë të një piramide dhe gjithë pushteti përbëhet
nga të afërm, miq e besnikë, të cilët duan t‘i hanë
kokën njëri-tjetrit, por i mban të
lidhur dhe bashkë një njeri. Ty të
shkon mendja te një Putin mediokër,
që e kemi nëpër këmbë
tash shtatëmbëdhjetë vjet. Shtyhesh
më tej dhe sapo bëhesh gati
të arratisesh në "Cyberespasse",
je i detyruar të dëgjosh edhe
njëherë haberet e mërzitshme që
vijnë nga vendi yt. Është një lajm
me klasifikime dhe merr vesh se
je renditur në vendin e tretë,
bashkë me Kamboxhian e Kamerunin.
Po pse me këto vende?
Nuk do të ishte më mirë që të
ishim në vendin e parë, por dy
vendet e tjera t‘i kishin të paktën
vende ballkanike dhe jo të klasifikohemi
bashkë me vende që në
mentalitet e psikologji janë të
ndryshme nga ne. Por, nuk qenka
e thënë. Mesa duket ka një gjë
që mund të jetë në themel të konstitucionit
tonë. Edhe Kamboxhia
ka kaluar një nga diktaturat më të
egra dhe është e natyrshme që
edhe atje, edhe këtu te ne, janë
komunistët që qeverisin, është
sistemi me miq e komshinj besnikë,
me shokët e fëmijëve dhe
miqtë e farefisit. Ka shumë
mundësi që kjo kulturë, ose më mirë kjo antikulturë,
bashkon si Shqipërinë, ashtu edhe Kamboxhian. Mirëpo
komedia nuk mbaron këtu. Për një ditë të gjithë u
shtangën dhe menduan se sondazhi i "Transparency
International" ishte sulmi i radhës i armiqve që ka kjo
qeveri, sepse nuk kishte si shpjegohej ndryshe serioziteti
dhe kompetenca e kryetarit të një njësie bashkiake
që Kryeministri e përdor edhe si zëdhënës. Ishte
fjala për gazin, pra për një gjë që bie erë dhe, mesa
duket, nga era, kryetari i njësisë bashkiake e kishte
ndjerë se sondazhi nuk ishte i saktë. Mirëpo, pak ditë
më pas, vetë drejtoresha e sondazhit ia nxori më shumë
erën qeverisë që nuk arriti të ngashënjehej me deklaratën
e kreut të njësisë bashkiake, që përdoret edhe
si zëdhënës. Nuk e di, atje në atë Kamboxhian e largët,
cili kryetar i cilës njësi bashkiake mund të ketë dalë e të
ketë gjetur ndonjë bombël gazi që bie erë në sondazhin
e fundit të "TI". Këtë nuk e di, por nuk di, gjithashtu, se
në ç‘kohë jetoj. Ma kujton Kryeministri im këto ditë
kur del e më thotë se ëndrra e studentëve të dhjetorit
nuk është realizuar, se Evropa është larg. Në fakt, ky
sinqeritet prej kapoje nuk të bën më asnjë përshtypje,
sepse tani, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh, të gjithë
janë bindur se ëndrrën e atyre studentëve e mori për
ta bërë zhgjëndërr dikush që i shiti të gjithë dhe bleu
vetëm besnikëri për pushtetin e tij të frikshëm, të frikshëm
jo në kuptimin politik, por në kuptimin financiar.
Një Zot e di sa mund të jetë pasuria e familjes
dhe e farefisit e miqve dhe e shokëve të tij. Por a ka
Zot? Papa Benedikti XVI, në enciklikën e fundit, tha
se marksizmi dhe iluminizmi, me dëshirën për të
ndriçuar tokën, e shkatërruan njerëzimin. Po ne në
ç‘kohë jetojmë? Si për të shpëtuar nga ky makth, hidhem
përsëri në "Cyberespasse" dhe aty gjej një shkrim
për gjendjen në Liban. Gjithmonë më është
dhimbsur ky vend. Mësoj shumë gjëra që nuk i di, por
më mbetet në mendje një frazë. Libanezët e kanë
kuptuar se fatkeqësia e popujve arabë nuk janë izraelitët,
por vetë drejtuesit e tyre dhe palestinezët paskan
një shprehje lapidar për këtë argument. Shprehja
është kjo: Cili është ndryshimi mes një drejtuesi
izraelit dhe një drejtuesi arab? Udhëheqësi izraelit i
mban sytë në popull dhe bythët në kolltuk,
udhëheqësi arab sytë në kolltuk dhe bythën nga populli.
Po ne në cilën kohë jetojmë? Apo mos vallë jam në
ëndërr? Pse unë dhe bashkëkombësit e mi pëlqejmë
të shohim ëndrra dhe të na thonë ëndrra? Sa kohë ka
që ne shohim në ëndërr vetëm një njeri që na thotë
vetëm të njëjtën gjë dhe ne e besojmë? Edhe sa kohë
do të rrjedhë kështu? Dikush thotë se popujt e pazhvilluar
kanë nevojë për ëndrra. A thua këtë ka pasur
parasysh një gazetare amerikane, që vizitoi Shqipërinë
në vitin 1996 dhe pasi intervistoi Presidentin
e atëhershëm dhe pasi u end nëpër këtë vendin
tonë, e mbylli reportazhin: "Sa keq, Shqipëria m‘u duk
si një spital i madh psikiatrik. O Zot, sa keq"!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›