DSHP kërkon të mbyllet shkolla Ahmet Gashi
FIKS FARE
Prej vitesh ajo mbetet një nga shkollat më problematike të kryeqytetit, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe kushteve aspak të mira higjieno-sanitare. Shkolla 9-vjeçare “Ahmet Gashi” ndodhet në lagjen e Laprakës dhe në të studiojnë 980 nxënës. Në gusht të këtij viti, Drejtoria e Shëndetit Publik, Tiranë, ka urdhëruar që kjo shkollë të mos hapej, për shkak të problemeve të konstatuara. Në ditën e parë të shkollës, Fiks Fare vizitoi ambientet e kësaj shkolle, e cila ende pa plotësuar kushtet higjieno-sanitare ka hapur dyert e saj në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
E vetmja ndërhyrje në këtë vit të ri në shkollën 9-vjeçare “Ahmet Gashi” është lyerja e mureve, por pavarësisht kësaj hartat e krijuara nga lagështira janë ende të dukshme. Shkolla me 980 nxënës ka vetëm 6 tualete, kushtet e të cilave lënë shumë për të dëshiruar. Tubat e ujit të amortizuar kanë filluar të rrjedhin duke krijuar pellgje uji në dyshemenë e tualeteve, ku pllakat do të ishin luks. Nxënësit e shkollës “Ahmet Gashi” në ditën e parë të shkollës, janë ulur në banka tepër të amortizuara, ndërsa të tjerë nuk kanë mundur të gjejnë një karrige dhe janë detyruar ta zhvillojnë orën e parë të mësimit në këmbë. Në lidhje me këto kushte, drejtoria e shkollës ka vënë shpesh në dijeni Bashkinë Tiranë, por ende nuk janë marrë masat, edhe pse nga viti në vit është premtuar ndërtimi i një shkolle të re. Drejtori i shkollës, z. Ndue Kolndreu, është shprehur se janë marrë masat që të plotësoheshin disa nga kushtet minimale për këtë vit të ri shkollor, por sërish amortizimi jo vetëm i bazës materiale, por në tërësi i godinës, e cila daton në vitet 60 të shekullit të kaluar, e bën shumë të vështirë zhvillimin e mësimit në shkollën “Ahmet Gashi”. “Shkolla ka nevojë për një ndërhyrje urgjente dhe nga sa ne kemi marrë informacion, Bashkia Tiranë ka miratuar një fond për ndërtimin e një shkolle të re që pritet të fillojë në nëntor të këtij viti”, u shpreh z. Kolndreu për Fiks Fare. Vetë nxënësit e kësaj shkolle janë shprehur se prej vitesh ambientet në të cilat ata studiojnë janë jashtë standardeve për një mësim normal. Dita e parë e shkollës ka gjetur sërish të mbyllur shkollën paralele Sabaudin Gabrani. Ndërtimi i kësaj shkolle ka mbaruar prej kohësh, por nxënësit nuk janë futur në ambientet e saj. Vetëm disa muaj më parë, Fiks Fare ka trajtuar çështjen e mbetur pezull në lidhje me funksionimin e kësaj shkolle. Nga ana e Bashkisë Tiranë, në atë kohë na u bë me dije se me një vendim të Gjykatës së Lartë për pezullimin e ndërtimeve në pjesën e jashtme të shkollës, ajo ende nuk është vënë në funksion. Nxënësit po zhvillojnë mësim të shpërndarë në dy shkolla të tjera. Sakaq, rreth 130 fëmijë të shkollave fillore të fshatit Adë dhe Sheq Musa Lalaj të Komunës Frakull të Fierit ishin të detyruar të futeshin sot në disa mjedise jo të përshtatshme për të nisur vitin e ri shkollor. Kryetari i Komunës Frakull, Viktor Cervenaku, sqaron se nuk ishte dakord që t’i hapnin këto shkolla, por pati shumë ndërhyrje që kjo të mos ndodhte.
DSHP kërkon të mbyllet shkolla Ahmet Gashi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip