Totozani: Akti normativ për lirimin e banesave, jo kushtetues

Avokati i Popullit Igli Totozani përmes një letre drejtuar Kuvendit të Shqipërisë e ka cilësuar aktin normativ të lirimit të banesave të ish-pronarëve si jo kushtetues dhe cënon të drejtat e individit.
Sipas tij, pranë institucionit të Avokatit të Popullit, janë paraqitur në vazhdimësi një numër i konsiderueshëm ankesash, në lidhje me trajtimin me strehim të familjeve të pastreha, të cilat banojnë në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
Ja letra e plote e Avokatit të Popullit
E nderuar zj.Kryetare,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Pranë institucionit të Avokatit të Popullit, janë paraqitur në vazhdimësi një numër i konsiderueshëm ankesash, në lidhje me trajtimin me strehim të familjeve të pastreha, të cilat banojnë në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara. Ky numër ka pësuar një rritje në mënyrë progresive, menjëherë mbas nxjerrjes së Aktit Normativ të Keshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”.
Sikunder shprehet në këto ankesa të dërguara nga individë apo nga shoqata që veprojnë në këtë fushë, akti normativ i nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, është një akt i cili jo vetëm nuk e zgjidh çështjen e pronarëve të ligjshëm të banesave ku sot jetojnë qytetarë të pastrehë, por krijon probleme më të thella, duke përbërë rrezik potencial në rast të zbatimit të tij, të krijimit të konflikteve të reja sociale.
Në këto ankesa, evidentohen momente ku vihet në dyshim kushtetueshmëria e këtij akti normativ, bazuar edhe në jurisprudencën që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka zhvilluar në drejtim të trajtimit ligjor të marrëdhënies ndërmjet pronarëve të ligjshëm dhe qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara.
Në këtë këndvështrim, në kuadër të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të ligjshme të këtij grupimi, është kërkuar ndërhyrja e Avokatit të Popullit për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke paraqitur edhe një kopje të kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nga ana e Shoqatës së Qeramarrësve në Shtëpitë Shtetërore ish Pronë Private, datë 20.08.2012, për shfuqizimin e këtij akti normativ, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Avokati i Popullit mbështet nismat e Qeverisë në favor të pronarëve, që mundësojne gëzimin e plotë të pronës së tyre. Duke vlerësuar se prona është e shenjtë, përshëndet dhe mbështet çdo nismë ligjore që do të shërbejë për zgjidhjen e çështjeve të pronës, por gjykon se çdo nismë duhet të respektojë frymën e Kushtetutës, frymën e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese si dhe të mbeshtetet në mjete proporcionale per realizimin e te drejtës.
Me marrjen në shqyrtim të këtyre ankesave nga ana jonë, është bërë një analizë e gjatë dhe e kujdesshme e gjithë çeshtjes dhe në veçanti e përmbajtjes së Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”.
Nga kjo analize, rezulton se:
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, njihen dhe garantohen një katalog i plotë të drejtash themelore te individit. E drejta e pronës afirmohet në nenin 41 të Kushtetutës, si një nga të drejtat kushtetuese themelore të individit duke garantuar mbrojtjen e saj.
Një nga te drejtat e gjeneratës së re, por që në një plan kompleks merr rendësi të veçantë në kuadër të së drejtës së jetës, është e drejta e individit për strehim.
Këto dy të drejta, në rastin e marrëdhënies së krijuar ndërmjet pronarëve të ligjshëm dhe qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, kanë krijuar një ndërthurje delikate të interesave të ligjshëm, e cila ka rezultuar me respektimin nga ana e të dyja palëve të vazhdimit të saj bazuar në aktet përkatëse ligjore, pavarësisht kufizimit të së drejtës së pronësisë, në pritje të një roli dhe qëndrimi dukshëm më aktiv të shtetit në realizimin e së drejtës për strehim.
Përgjatë gjithë këtyre viteve, banorët e pastrehë nga njëra anë dhe pronarët e banesave nga ana tjetër, kanë qënë në pritje të një zgjidhje përfundimtare nga ana e shtetit në cilësinë e rregullatorit, e cila do tí jepte pronarit disponim të plotë të prones së tij dhe qeramarrësit mundësinë të gjente një strehë që do të plotësonte standarded e pranueshme të jetesës.
Fakti është se sot e kësaj dite, ende nuk është arritur në zgjidhjen perfundimtare ligjore të kësaj çështjeje, ndërkohë që aktet normuese të nxjerra nga organet kompetente për këtë qëllim, kanë rezultuar problematike në pajtueshmërinë me dispozitat kushtetuese.
Akti më i fundit që është nxjerrë për të rregulluar këtë marrëdhënie është Akti Normativ i Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012 “Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”. Ky akt, është botuar në Fletoren Zyrtare nr.93 datë 6 Gusht 2012, fakt që konstaton tashmë hyrjen në fuqi të tij, me kushtin e parashikuar në nenin 101 të Kushtetutës.
Procedura për nxjerrjen e këtij akti, por edhe përmbajtja e tij, evidentojnë momente të rëndësishme të mospajtueshmërisë së tij me dispozitat e Kushtetutës. Kjo gjë bëhet më e qartë, po tí referohemi jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, lidhur me objektin e rregullimit të trajtuar në këtë akt normativ.
Më konkretisht:
1.Akti normativ i Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, në thelbin e tij kërkon të realizojë rregullimin e marrëdhënies qeramarrës dhe ish pronarë përmes marrjes së një kredie, pavarësisht nga kushtet e saj, në të njëjtën mënyrë siç edhe parashikonte pika 1, e nenit 9, të Ligjit nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, si dhe neni 9, i Ligjit nr.9583 datë 17.07.2006 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”. Këto nene janë shfuqizuar me vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese.
2.Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje me kërkesë nga ana e subjekteve përkatëse të interesuara, për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 9, si në rastin e Ligjit nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ashtu edhe në rastin e Ligjit nr.9583 datë 17.07.2006 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”.
Në të dyja vendimet, vendimin nr.26 datë 02.11.2005 dhe në vendimin nr.11 datë 04.04.2007, Gjykata Kushtetuese ka vendosur përkatësisht, shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikës 1, të nenit 9, të Ligjit nr.9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, si dhe shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 9, të Ligjit nr.9583 datë 17.07.2006 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
3.Në këto vendime arsyetohet shkelja e parimeve të rëndësishme kushtetuese, që lidhen direkt me të drejta të njohura dhe garantuara në Kushtetutë. Konkretisht konstatohet shkelja e parimit të sigurisë juridike, si pjesë përbërëse e rëndësishme e shtetit të së drejtës, po kështu konstatohet një trajtim diskriminues ndaj shtresës së qeramarrësve, duke iu cënuar të drejtën e tyre për të jetuar dhe të drejtën për pasjen e një strehe.
4.Për shkak të boshllëkut ligjor të krijuar, në të dyja vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese, i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë marrjen e masave për plotësimet e nevojshme në ligj.
Në këto kushte, në aspektin formal të nxjerrjes së aktit konstatojmë se:
a) Bazuar në vendimet e sipërcituara të Gjykatës Kushtetuese, kompetenca për rregullimin e marrëdhënies pronarë të ligjshëm dhe qytetarë të pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, i është lënë Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet të bëjë plotësimet e nevojshme në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Sot e kësaj dite urdhërimet e vendimit nr.11 datë 04.04.2007, të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, pasi ende nuk ka një plotësim të boshllëkut ligjor të krijuar me shfuqizimin e nenit 9, të Ligjit nr.9583 datë 17.07.2006 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.
b) Këshilli i Ministrave, përmes nxjerrjes së Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2012, ka marrë padrejtësisht një kompetencë të Kuvendit të Shqipërisë.
c) Për më tepër, në analizë të të gjitha rrethanave në të cilat është nxjerrë ky akt, ky mjet ligjor nuk duhet dhe nuk mund të jetë ndërhyrja e duhur proporcionale, për zgjidhjen e çështjes. Edhe nga vetë përmbajtja e dispozitave të aktit, del se nuk ka një studim të mirëfilltë të detajuar nga ana e Qeverisë, për familjet e pastreha si në këtë rast dhe se si paraqitet gjendja e tyre reale. Nuk përligjen kërkesat e nenit 101 të Kushtetutës, rasti i nevojës dhe urgjencës për marrjen e masave të përkohshme, me një akt të tillë, ndërkohë që masat që do të rezultojnë prej zbatimit të tij, kanë karakter të përhershëm.
Në aspektin e përmbajtjes së aktit konstatojmë se:
- Aktualisht gjendemi para një akti normativ, përmbajtja e të cilit në referencë të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, përfshihet në kuptimin e gjësë së gjykuar. Për rrjedhojë, përmbajtja e Aktit Normativ nr.3 datë 1.08.2088, shkel parimet e rëndësishme kushtetuese, që lidhen direkt me të drejta të njohura dhe garantuara në Kushtetutë. Konkretisht, shkel parimin e sigurisë juridike, si pjesë përbërëse e rëndësishme e shtetit të së drejtës, po kështu përbën premisë në zbatimin e tij për një trajtim diskriminues ndaj shtresës së qeramarrësve, duke iu cënuar të drejtën e tyre për të jetuar dhe të drejtën për pasjen e një strehe.
- Afatet e përcaktuara për kryerjen e procedurave të nevojshme nga organet komptente të përcaktuara në këtë akt, janë ekstremisht të shkurtra.
- Ndalohet vendimmarrja e Gjykatës kompetente të Shkallës së Parë, nisur nga rregullimet e bëra në një akt normativ, ndërkohë që veprimtaria e gjykatës në këto raste rregullohet me Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile. Pra, përcaktimi i bërë në këtë paragraf cënon heirarkinë e akteve normative që kanë fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe bie ndesh me pikën 1, të nenit 116 të Kushtetutës. Pra, nëpërmjet aktit i merret në mënyrë të kundërligjshme një kompetencë organit te Gjykatës.
- Edhe në kuptim të gjuhës së përdorur në këtë akt në disa dispozita gjejmë termin “Ftohet”, që përbën një terminologji krejtësisht të papërshtatshme për një akt normativ.
Veç konstatimeve të bëra më sipër, është e qartë se nuk ndodhemi para rastit të ekzistencës së interesit publik, gjë që do të legjitimonte cënimin e parimit të sigurisë juridike.
Efektivisht, vlerësojmë se ndërhyrja efektive e shtetit nuk ka qënë në nivelin e duhur për të realizuar në fakt një të drejtë që individëve u garantohet nga Kushtetuta dhe gjithë kuadri ligjor ekzistues. Pikërisht, nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje në këtë çështje, ne kërkojmë që të krijojmë një raport të drejtë në respektimin e së drejtës së pronës dhe së drejtës për strehim, për nje trajtim dinjitoz te grupeve dhe interesave të tyre legjitime.
Për të gjithë këto arsye, gjykojmë se Aktit Normativ i Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe si i tillë çmojmë se duhet të jetë në përputhje me urdhërimet e jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër miratimi dhe më pas zbatimi i tij, do te sillte pasoja serioze dhe te parikuperueshme.