Punësimi i mësuesve, pas dy javësh vendoset për pranimet e reja
Planifikimi i drejtorive të shkollave për arsimtarët e nevojshëm, pas mbylljes së regjistrimeve
Lorina Mixha
Në ditën e parë të çeljes së vitit shkollor, mësuesit e drejtorët e shkollave kanë pritur nxënësit, i kanë uruar e kanë zhvilluar orët e para prezantuese me klasat e reja. Por organizimi i mirëfilltë i mësimit, orari, numri i nxënësve në klasa, por edhe numri i mësuesve të rinj që do të pranohen, do të vendoset pasi të kenë kaluar të paktën dy javët e para të shkollës. Për shkak se regjistrimi i nxënësve nuk është mbyllur përfundimisht, por edhe për shkak se restaurimet dhe rregullimet ndodhen në fazën e fundit, drejtuesit e shkollave nuk mund të parashikojnë se sa klasa do të lënë për çdo vit, sa do të jetë numri i nxënësve për secilën prej tyre dhe si do të bëhet ndarja e orëve për secilin mësues. Shtimi i numrit të nxënësve të regjistruar, fluksi i fëmijëve të emigrantëve të paraqitur këtë vit në shkolla në të gjithë vendin, por edhe prurjet e reja do të vendosin përfundimisht se si do të organizohen orët e mësimit dhe si do të ndahet puna mes stafit pedagogjik.
Punësimet e reja do të vendosen pasi të jenë bërë edhe planifikimet dhe kërkesat që do të ketë secila shkollë. Deri tani nuk kemi një numër të saktë për bilancin e mësuesve që do të punësohen si pjesë e organigramës në secilën shkollë, por, nga ana tjetër, nuk mund të japim shifra dhe përqindje për punësimet e reja, deri në mbledhjen e propozimeve për çdo shkollë e për secilin qytet, deklaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit.
Modalitetet, kërkesat dhe degët ku do të pranohen mësuesit e rinj do të sqarohet në fillim të muajit tetor.
Sakaq, ligji i ri i arsimit parauniversitar ka sqaruar modalitetet dhe metodologjinë që do të kërkohet për marrjen në punë të mësuesve për secilin cikël, si dhe organizimin e procedurave nga ana e drejtorive të shkollave dhe drejtorive arsimore.
Për fëmijët e emigrantëve do të ketë klasa të veçanta të gjuhës shqipe, për të prapambeturit apo për ata që duan të perfeksionojnë më tej gjuhën amtare. Por, sipas Ministrisë së Arsimit nuk do të ketë punësime të mësuesve për këtë pjesë. Do të jenë vetë shkollat ato që do të organizojnë orët suplementare.
Mësuesit e rinj do të pranohen për shkak të shtimit të orëve, klasave, por edhe numrit të nxënësve.
Sakaq, konkurrenca për një vend si arsimtar do të rritet edhe më tej, duke pasur parasysh se javën e kaluar disa shkolla private, për shkak të problemeve financiare, kanë bërë shkurtime të stafit pedagogjik apo përgjysmim të pagesave për secilin punonjës.
Punësimi i mësuesve, pas dy javësh vendoset për pranimet e reja burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip