E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonat rurale, ¼ e fëmijëve pa arsim të detyruar

Lorina Mixha

Avokati i Popullit: Nxënësit regjistrohen në klasë të parë, por nuk arrijnë në klasën e nëntë

Lorina Mixha

Në ditën e parë të shkollës, atëherë kur mijëra prindër, mësues, gjyshër e familjarë kanë uruar nxënësit e shkollave për një vit të mbarë, vëmendja e Avokatit të Popullit ka rënë gjetkë.

Ky institucion ka raportuar shifra tejet domethënëse në këtë vit të ri shkollor.

Në zonat periferike, të thella apo rurale, rreth 25 për qind e nxënësve që regjistrohen në shkolla, nuk arrijnë të mbyllin arsimin e detyruar dhe të marrin më pas dëftesën në mbyllje të klasës së nëntë. Po ashtu, sipas të dhënave dhe studimeve, edhe 25 për qind e mësuesve të shkollave tetëvjeçare nuk janë të kualifikuar. Sakaq, përveç fëmijëve të lumtur, dje vogëlushë të tjerë, jo për faj të tyre, por për shkaqe ekonomike e probleme sociale, nuk janë regjistruar në shkolla, nuk janë ulur në banka e nuk kanë blerë as fletore, as libra e as çantë.

Fëmijët që lypin, ata që punojnë, sepse vuajnë për bukën e gojës, fëmijët me aftësi të kufizuara, që nuk kanë shkolla të adaptueshme për ta, por edhe vogëlushë të ngujuar nuk nisën dje shkollën si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Sipas statistikave të referuara nga Avokati i Popullit, të konfirmuara edhe nga studimet e UNICEF-it, rezulton se pothuajse ¼ e fëmijëve në zonat rurale të Shqipërisë që regjistrohen në klasën e parë nuk e përfundojnë shkollën nëntëvjeçare.

Po ashtu, edhe ¼ e mësuesve të shkollave nëntëvjeçare nuk janë të kualifikuar, sipas një studimi të UNICEF-it. Këto shifra janë brengosëse për çdo shoqëri që është e përgjegjshme për të ardhmen, deklaron institucioni i Avokatit të Popullit.

Rreth 385 mijë nxënës në arsimin bazë dhe 146 mijë në arsimin e mesëm, nga të cilët 21 mijë në arsimin profesional, nisën dje vitin e ri shkollor. Rreth 1500 janë fëmijë të regjistruar në arsimin parauniversitar publik të emigrantëve të kthyer në Shqipëri. Mbi 36 mijë fëmijë shkuan këtë vit në klasën e parë e 75 mijë të tjerë në arsimin parashkollor.

Mendja dhe zemra jonë është edhe te të gjithë ata fëmijë të cilët nuk e kanë mundësinë të jenë në shkollë me bashkëmoshatarët e tyre, deklaroi dje Avokati i Popullit, duke renditur disa kategori fëmijësh, të cilët nuk mundën të regjistroheshin në shkolla. Dje nuk kanë nisur shkollën fëmijët e ngujuar, viktima të pafajshme të krimit, për të cilët ky 10 shtator ishte një tjetër ditë e zymtë, në errësirën e kullave të tyre të varfra.

Nuk u ulën me bashkëmoshatarët në banka fëmijët që u duhet të punojnë, apo të lypin për shkak të situatës së vështirë ekonomike të familjeve. Dje për ta ishte një tjetër ditë mundimesh që nuk u përkasin. Po ashtu ka pasur një numër të konsiderueshëm fëmijësh me aftësi të kufizuara, të cilët për shkak të mungesës së lehtësirave në institucionet shkollore, nuk do të mund ti provojnë kurrë emocionet e bankave të shkollës.

Le të shërbejë kjo ditë urimesh edhe si ditë e kujtesës dhe apelit: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (neni 26), si dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (neni 57) përcaktojnë të drejtën për arsimim, si një të drejtë që duhet ta gëzojnë të gjithë, deklaroi dje Avokati i Popullit, duke përcjellë urimet për të gjithë nxënësit në ditën e parë të shkollës.

Tiranë

Gjimnazet, të gjitha me dy turne

Fluksi i lartë i regjistrimeve të nxënësve në shkollat e kryeqytetit, ka bërë që këtë vit, gjimnazet e Tiranës, pothuajse të gjitha, ta zhvillojnë mësimin me dy turne. Po ashtu, me dy turne do të operohet edhe në shkollat 9-vjeçare më të njohura dhe më të kërkuara të Tiranës. Sistemimi i klasave deri tani ka nisur me 45 nxënës, por edhe me 50 nxënës në klasa. Në gjimnaze të veçanta, numri i nxënësve në klasa arrin deri në 60. Por situata pritet të stabilizohet pas mbylljes përfundimtare të regjistrimeve. Për shkak të kthimit të fëmijëve të emigrantëve, por edhe për të gjithë ata që nuk patën mundësi të regjistroheshin, Ministria e Arsimit ka vendosur një afat të dytë regjistrimesh. Mbyllja e fazës së dytë të regjistrimit do ta kristalizojë më tej idenë e hapjes së klasave të reja apo të rregullimit të ekzistuesve.

Zonat rurale, ¼ e fëmijëve pa arsim të detyruar burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›