DUSTRIALE N&eum
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 31, të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, "Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
I. OBJEKTI DHE QËLLIMI
1. Objekti i këtij vendimi është rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë për realizimin e prokurimeve të mallrave, punëve dhe të shërbimeve, që kanë lidhje me sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, në fushën industriale.
2. Ky vendim ka si qëllim plotësimin e standardeve për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shteteror” në fushën industriale, përcaktimin e kritereve të kontratave të klasifikuara, garancinë, që çdo kontraktues ka aftësinë dhe mundësinë të mbrojë, në mënyrë të përshtatshme, informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse.
3. Në kuptim të këtij vendimi, me termat e mëposhtme do të nëkuptohen:
a) Kontratë e klasifikuar, çdo kontratë, që përmban informacion të klasifikuar “sekret shtetëror”.
b) Material i klasifikuar, dokumentet dhe makineritë ose pajisjet, armatimi, komponentët e tyre, të prodhuara ose në proces prodhimi, të klasifikuara të tilla sipas legjislacionit.
c) Autoriteti kontraktor, subjektet shtetërore, që ndërmarrin një kontratë të klasifikuar.
ç) Operatorë ekonomikë, çdo person, fizik ose juridik, ose çdo grup personash të tillë, që ofrojnë në treg furnizimin me mallra, punime dhe/ose shërbime.
d) Ofertues, çdo operator ekonomik, që ka paraqitur një ofertë, në mbështetje të dokumentacionit të tenderit të klasifikuar.
dh) Pyetësori i sigurisë industriale, tërësia e kërkesave, në bazë të të cilave gjykohet nëse një operator ekonomik plotëson kriteret për t’u pajisur me certifikatën e sigurimit industrial.
e) Certifikata e sigurimit industrial, dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i cili vërteton, nga pikëpamja e sigurisë, se një operator ekonomik plotëson të gjitha standardet e përcaktuara për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, sipas nivelit dhe afateve të caktuar në kontratën përkatëse.
ë) Instruksioni i sigurisë së projektit, tërësia e rregullave dhe procedurave të sigurisë, të detyrueshme, për t’u zbatuar në projektin specifik të kontratës të klasifikuar.
f) Plani i sigurisë së ngarkesës, dokumenti i miratuar nga autoriteti kontraktor, ku përfshihen masat, që garantojnë sigurinë e transportit të materialit të klasifikuar.
g) Vizitat, të cilat bëhen në kuadër të detyrimeve, që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare, pas një kërkese nga autoriteti kompetent i njërës palë ose në bazë të një ftese, nga autoriteti kontraktor.
gj) Vizitorë, përfaqësuesit zyrtarë të një shteti apo organizate ndërkombëtare, që, në bazë të detyrave zyrtare, kërkojnë të vizitojnë objektet e kontraktorit.
II. RREGULLA TË PËRGJITHSHME
1. Autoritetet kontraktore, të cilave, për nevoja të realizimit të detyrave, u duhet të hyjnë në marrëdhënie me operatorë ekonomikë, për realizimin e prokurimeve të mallrave, të punëve dhe të shërbimeve, që kanë lidhje me sigurinë kombëtare dhe përbëjnë informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”, duhet t`u kërkojnë ofertuesve “Certifikatën e sigurimit industrial”.
2. Procedura për lëshimin e certifikatës së sigurimit industrial fillon pasi autoriteti kontraktor përkatës përcakton se kontrata do të jetë e klasifikuar.
Ofertuesit, për marrjen e certifikatës, duhet të plotësojnë këto dokumente:
a) Kërkesën për aplikim, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Deklaratën, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) Deklaratën, sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Pyetësorin e sigurimit industrial (forma dhe modeli i pyetësorit përcaktohen nga DSIK-ja).
3. Operatori ekonomik duhet të përmbushë çdo kërkesë të autoritetit kontraktor, që ka të bëjë me sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shteteror”.
Kur operatori ekonomik është institucion shtetëror, kërkesa për aplikim shoqërohet vetëm me pyetësorin e sigurimit industrial.
4. Certifikata e sigurimit industrial kërkohet edhe për kontratat e klasifikuara me nënkontraktorë, kur parashikohet nënshkrimi i një kontrate të tillë ose kur zbatimi i kontratës kërkon nënshkrimin e kontratave me nënkontraktorë.
5. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) lëshon certifikatën e sigurimit industrial.
III. NEGOCIIMI DHE KONTRATAT E KLASIFIKUARA
1. Kontrata e klasifikuar përcaktohet dhe negociohet nga autoriteti kontraktor i interesuar.
2. Lëshimi i certifikatës së sigurimit industrial bëhet pasi kryhet verifikimi i subjekteve, që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie me autoritetin kontraktor.
Autoriteti kontraktor kërkon dokumentacionin përkatës nga ofertuesit, për lidhjen e kontratës së klasifikuar dhe, pasi kryen verifikimin paraprak, i kërkon Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pajisjen e tyre me certifikatë të sigurimit industrial.
Afati për lëshimin e certifikatës së sigurimit industrial është deri në 3 muaj dhe fillon nga data e paraqitjes së kërkesës në DSIK.
3. Pas lëshimit të certifikatës së sigurimit industrial, në nivelin më të lartë të informacionit të klasifikuar, që do të përfshihet në kontratën e klasifikuar, autoriteti kontraktor shpërndan ftesat për pjesëmarrje të ofertuesve në procedurën për negociimin dhe kryen negociatat për përzgjedhjen e kontraktuesit.
Informacioni, që trajtohet gjatë negociatave, është i klasifikuar.
4. Autoriteti kontraktor krijon kushte sigurie në mjediset e tij, në mënyrë që ofertuesit të njihen me përmbajtjen e kontratës së klasifikuar, gjatë zhvillimit të negociatave dhe përzgjedhjes të kontraktuesit, në përputhje me legjislacionin për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””.
5. Çdo operatorit ekonomik, i cili ftohet të marrë pjesë në negociata, në procedurën për negociimin dhe në përzgjedhjen e kontraktuesit, duhet të jetë i pajisur me certifikatë sigurie të përshtatshme, me përjashtim të rasteve kur fjala është për kontrata të klasifikuara në nivelin “I kufizuar”.
6. Operatori ekonomik është i detyruar të kthejë tek autoriteti kontraktor të gjithë informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” menjëherë ose, maksimumi, deri brenda 5 ditëve, në rastet:
a) kur nuk ia pranojnë ofertën;
b) e tërheqjes nga pjesëmarrja në negociata;
c) kur nuk përzgjidhet si kontraktues;
d) e zgjidhjes në mënyrë të parakohshme të kontratës.
7. Dokumentacioni i të gjitha takimeve përkatëse të procesit të negociatave për përzgjedhjen e kontraktuesit, si prezantime, protokolle, regjistrime etj., përfshirë të dhëna specifike për pjesëmarrësit, palët negociuese të pranishme, kohën dhe qëllimin e takimeve, do të ruhen, në përputhje me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar “Sekret shteteror”.
8. Autoriteti kontraktor njofton, me shkrim, operatorin ekonomik fitues dhe nënshkruan me të kontratën.
IV. KUSHTET E KONTRATËS
1. Kontraktuesi duhet të jetë i pajisur me certifikatë të sigurimit industrial dhe përgjigjet për të gjitha veprimtaritë e nënkontraktuesve dhe pajisjen e tyre me certifikatën e sigurimit industrial, të përshtatshme.
Kontraktuesi harton instruksionin e sigurisë së projektit dhe e miraton atë tek autoriteti kontraktor.
2. Gjatë zbatimit të kontratës, kontraktuesi dhe nënkontraktuesi duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme, të cilat përfshihen në instruksionin e sigurisë së projektit.
a) Caktojnë një person përgjegjës për mbikëqyrjen dhe drejtimin e masave të sigurisë, në lidhje me kontratën e klasifikuar ose nënkontratën.
b) Mbajnë lidhje të vazhdueshme me personin përgjegjës të autoritetit kontraktor, që mbikëqyr zbatimin e kontratës së klasifikuar.
c) Nuk riprodhojnë informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”, të siguruar ose gjeneruar në kontratën e klasifikuar, me përjashtim të rasteve kur lejohet nga kontrata ose me miratim të autoritetit kontraktor.
ç) I sigurojnë autoritetit kontraktor, kur u kërkohet, të gjithë informacionin, në lidhje me personat që do të njihen me informacion të klasifikuar “Sekret shtetëror”;
d) Kufizojnë përhapjen e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror” vetëm sipas parimit “Nevojë për njohje”, në përputhje me zbatimin e kontratës së klasifikuar ose të nënkontratës;
dh) Mbajnë “Regjistrin e personave të certifikuar ”, (Aneksi 5), sipas modelit përcaktuar nga DSIK-ja, për personat që do të njihen me informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, gjatë zbatimit të kontratës ose nënkontratës;
e) Marrin miratimin e autoritetit kontraktor për çdo ndryshim strukturor apo për çdo ndryshim të personelit, që lidhet me realizimin e kontratës apo të nënkontratës.
ë) Raportojnë tek autoriteti kontraktor për çdo cenim ose kërcënim të sigurisë, si dhe për çdo informacion, që ngre dyshime në besueshmërinë e një punonjësi, ndryshime, që mund të ndodhin në zotërimin, kontrollin ose menaxhimin e mjeteve, ndryshime, që cenojnë masat e sigurisë dhe statusin e sigurisë së kontratës.
f) Krijojnë, në çdo kohë, kushtet dhe lehtësitë për inspektime, të planifikuara ose jo, të përfaqësuesve të DSIK-së dhe autoritetit kontraktor, në lidhje me kontratën;
g) Vendosin çdo nënkontraktues nën detyrime sigurie, të njëjta me ato të zbatuara për kontraktuesin.
gj) Nuk përdorin, pa autorizim të veçantë, me shkrim, nga DSIK-ja, informacion të klasifikuar të NATO-s, shteteve ose organizatave të tjera ndërkombëtare, të siguruara në vijim të kontratës, përveçse për qëllime specifike të kontratës ose nënkontratës;
h) Ia kthen autoritetit kontraktor të gjithë informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” ose informacionin e klasifikuar të NATO-s, shteteve ose organizatave të tjera nderkombëtare, të përftuar gjatë realizimit të kontratës.
Autoriteti kontraktor specifikon rastet e kthimit të këtij informacioni.
i) Sigurojnë që asgjësimi, shkatërrimi i materialit të klasifikuar është kryer dhe regjistruar sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” dhe në përputhje me procedurat e sigurisë së autoritetit kontraktor.
j) Krijojnë kushte dhe marrin masa për trajnimin e personelit, që merret me realizimin e kontratës, për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”.
V. NËNKONTRATAT
1. Para lidhjes së kontratave të klasifikuara me nënkontraktues, kontraktuesi detyrohet që:
a) të marrë autorizimin e autoritetit kontraktor për realizimin e nënkontratës;
b) të nisë procedurat për pajisjen me certifikatë të sigurimit industrial për nënkontraktuesin.
Në negociatat për përzgjedhjen e nënkontraktuesit, të çfarëdo niveli, marrin pjesë përfaqësues të sigurisë së autoritetit kontraktues.
2. Për pajisjen me certifikatë të sigurimit industrial të nënkontraktuesit zbatohen të njëjtat procedura si për kontraktuesin.
3. Kontraktuesi mund të fillojë negociatat me nënkontraktuesin pas marrjes së konfirmimit, se nënkontraktuesi është pajisur me certifikatë të sigurimit industrial përshtatshmërisht.
4. Autoriteti kontraktor është përgjegjës për ruajtjen e informacionit të klasifikuar, të kaluar te nënkontraktuesi.
VI. PROCEDURAT E VERIFIKIMIT
1. Procesi i verifikimit të operatorit ekonomik bëhet sipas pyetësorit të sigurimit industrial.
2. DSIK-ja u kërkon insitucioneve përkatëse, që kanë lidhje me sigurimin kombëtar, me rendin kushtetues, rendin publik, me organet e drejtësisë, të prokurorisë dhe ministrive e institucioneve të tjera shtetërore, si dhe subjekteve private, kur e gjykon të nevojshme, verifikimin e operatorit ekonomik.
3. DSIK-ja i kthen përgjigje autoritetit kontraktor për pajisje me certifikatë të sigurimit industrial brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Në rast mosrespektimi të këtij afati, DSIK-ja njofton autoritetin kontraktor për arsyet e vonesës.
4. Deklarimi i informacioneve të rreme në pyetësorin e sigurimit industrial përbën arsye për moslëshimin e certifikatës së sigurimit industrial.
5. DSIK-ja, në rastet kur kontraktuesi është operator ekonomik i huaj, bashkëpunon me autoritetin e sigurimit kombëtar të vendit përkatës.
6. DSIK-ja, në përfundim të procedurës së verifikimit, kur e gjen të mbështetur në legjislacion, lëshon certifikatën e sigurimit industrial.
7. Në rast moslëshimi të certifikatës së sigurimit industrial, DSIK-ja vë në dijeni autoritetin kontraktor, të cilit i parashtrohen arsyet e mospranimit.
Në këtë rast, autoriteti kontraktor ka të drejtën e ankimimit brenda 10 ditëve, te Kryeministri, vendimi i të cilit është përfundimtar.
8. Certifikata e sigurimit industrial lëshohet në nivelin më të lartë të informacionit të klasifikuar, që përmban kontrata e klasifikuar.
9. Certifikata e sigurimit industrial është e vlefshme për aq kohë sa duhet për realizimin e kontratës, por jo më shumë se 3 vjet. Në rastet kur kontrata e klasifikuar është mbi 3 vjet, procedura e verifikimit për pajisjen me certifikatë të sigurimit industrial rifillon.
VII. DETYRIMET E OPERATORËVE EKONOMIKË
Operatorët ekonomikë detyrohen të japin informacion :
a) Për statusin ligjor të tyre;
b) Për strukturat dhe kapitalin;
c) Për trupën administrative, për punonjësit, që do të marrin pjesë në realizimin e kontratës dhe supervizorët;
ç) Për sistemin e mbrojtjes dhe masat e sigurisë për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, që do t’i besohet gjatë realizimit të kontratës;
d) Për rastet nëse ka marrë pjesë, më parë, në realizimin e kontratave të klasifikuara, brenda ose jashtë vendit;
dh) Për punonjësit e autorizuar, që do të kenë të drejtë të njihen me informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”;
e) Për personin ose personat përgjegjës, të autorizuar nga operatori ekonomik për marrjen e masave për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, gjatë të gjitha fazave të realizimit të kontratës.
VIII. TRANSPORTIMI
1. Transportimi i materialit të klasifikuar jashtë zonës së sigurisë ose jashtë shtetit kryhet me mjete, që plotësojnë kërkesat, për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, siç përcaktohet në kontratën e klasifikuar.
2. Autoriteti kontraktor përcakton masat për sigurimin e materialit të klasifikuar, që duhet të zbatohen në të gjitha etapat gjatë transportimit dhe në çfarëdo rrethanë, nga pika e origjinës deri në destinacion. Transportimi nga ajri dhe deti bëhen në të njëjtat kushte sigurie sikurse transportimi nga toka.
3. Masat për sigurimin e materialit të klasifikuar që transportohet duhet të jenë në nivelin më të lartë.
4. Personeli, që transporton materialin e klasifikuar, duhet të jetë i certifikuar përshtatshmërisht.
5. Itinerari i kalimit përcaktohet në rrugë të sigurta, por, nëse duhet të kalohet nëpër qytete të mëdha, merren masa, që materiali të jetë jashtë çdo kërcënimi dhe krize.
6. Paketimi i materialit të klasifikuar bëhet me listë inventari, sipas nivelit të klasifikimit.
7. Materiali i klasifikuar transportohet në arka metalike të mbyllura ose në kontenierë, të siguruar e nën mbikëqyrjen e një punonjësi sigurie, si dhe të markuara e të vulosura. Kur transporti përfshin dy ose më shumë kontenierë, masat e sigurisë për secilin duhet të merren në përputhje me nivelin më të lartë të klasifikimit të materialit të klasifikuar, që transportojnë.
8. Në rrethana të jashtëzakonshme, materiali i klasifikuar transportohet vetëm me mjete speciale, shoqëruar me roje të armatosura, në bashkërendim me efektivat e Ministrisë së Brendshme ose të Ministrisë së Mbrojtjes.
9. Ndalimi në vende të caktuara gjatë transportimit bëhet në përputhje me një plan sigurie, të parapërgatitur.
10. Në raste emergjence, aksidenti, prishjeje automjeti, katastrofe natyrore apo të ngjashme me to, materiali i klasifikuar ruhet gjatë të gjithë kohës së ndalesës në vendin e caktuar, nga rojet e sigurimit, të armatosura, dhe nga personat shoqërues.
11. Gjatë transportimit të materialit të klasifikuara mbahet komunikim i vazhdueshëm, me mjete dhe pajisje të certifikuara përshtatshmërisht.
12. Në kushtet e rrezikut në rritje për materialin e klasifikuar caktohen roja të sigurisë.
Në varësi të vlerësimit të rrezikut konkret, mund të caktohen roje dhe civilë të armatosur.
Personat e ngarkuar si roje ose si persona shoqërues trajnohen dhe u jepen instruksione të hollësishme se si ta trajtojnë materialin e klasifikuar.
IX. VIZITAT
1. Vizitat kryhen për qëllime të ligjshme dhe të autorizuara nga autoriteti kontraktor, kur parashikohet se materiali i klasifikuar do të paraqitet nga një kontraktues i certifikuar përshtatshmërisht.
2. Vizitat caktohen gjatë një periudhe njëvjeçare. Vizitat që lidhen me kontratën e klasifikuar kryhen për sa kohë zgjat kontrata dhe me miratimin e autoritetit kontraktor. Numri i vizitave duhet të jetë sa më i vogël. Vizitat kategorizohen:
a) Vizita të veçanta, me një qëllim të caktuar dhe kohëzgjatje deri në 30 ditë dhe që nuk përsëriten brenda vitit;
b) Vizita periodike, në periudha të caktuara kohore, brenda vitit;
c) Vizita urgjente, që kryhen për shkak të një çështjeje të një rëndësie të veçantë.
3. Vizitat kryhen tek autoriteti kontraktor ose te kontraktuesi. Në rastet kur subjekt i vizitave është kontraktuesi, ai njofton me shkrim autoritetin kontraktor dhe kërkon miratimin e tij për kryerjen e vizitës.
Në raste urgjente, kërkesa për vizitë mund të bëhet gojarisht, me kusht që të shoqërohet, më pas, me shkrim, brenda 10 ditëve nga data e kryerjes së vizitës.
4. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, në zbatim të detyrave zyrtare, mund të vizitojnë kontraktuesin pa lajmërim paraprak, me kusht që këta përfaqësues të paraqesin certifikatën e sigurisë dhe dokumentet e identifikimit të pozicionit zyrtar, si dhe autorizimin përkatës.
Në vizitat e miratuara më parë, që nuk lidhen me kontratën e klasifikuar, informacioni i klasifikuar “Sekret shtetëror” nuk ekspozohet pa miratimin paraprak të autoritetit kontaktor.
5. Vizitorëve u jepet akses vetëm për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, që lidhet me qëllimin e vizitës dhe me domosdoshmërinë e njohjes me informacionin, pas pajisjes me certifikatë sigurie të përshtatshme.
6. Autorizimi i vizitës përmban:
a) Qëllimin dhe arsyen;
b) Nivelin e certifikatës së sigurimit industrial, emrin e kontraktuesit, adresën, numrin e telefonit dhe adresën elektronike të tij;
c) Emrin, datën, vendlindjen dhe shtetësinë e personit, që kryen vizitën;
ç) Vërtetimin e certifikatës së sigurisë dhe autorizimin për aksese të veçanta;
d) Emrat e personave, që do të kontaktohen;
dh) Periudhën e vlefshmërisë së dokumenteve të autorizimit të vizitës.
Në çdo rast, personeli i sigurisë, i autorizuar, i kontraktorit mban protokollin e vizitave.
7. Në vizitat e miratuara më parë, që lidhen me kontratën e klasifikuar, materiali i klasifikuar mund të ekspozohet pa miratimin e autoritetit kontraktor, në rastet kur kontraktuesi e gjen të mbështetur në ligj.
8. Vizitat nga përfaqësues të një pale të tretë bëhen vetëm me miratim paraprak të palëve, të përfshira në kontatën e klasifikuar.
X. RREGULLA TË VEÇANTA1. Dokumentacioni i grumbulluar për verifikimin e kontraktuesit ruhet pranë DSIK-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore të nxjerrin udhëzime, në zbatim të këtij vendimi.
3. Ngarkohet DSIK-ja për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi.
4. Vendimi nr. 380, datë 31.5.2001, i Këshillit të Ministrave, “Për sigurimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shteteror” në fushën industriale””, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi 30 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
02/02/2009