E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha starton procesin e prodhimit të letërnjoftimit të parë biometrik

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Personalizimit të Letërnjoftimeve Biometrike dhe Pasaportave Elektronike, ku startoi procesin e prodhimit të letërnjoftimit të parë biometrik, që i korrespondon personit të parë që ka bërë aplikimin për marrjen e këtij dokumenti.

Duke e cilësuar këtë si një ditë të veçantë, të cilën shqiptarët e presin prej 10 vitesh, Kryeministri Berisha tha se ky projekt ka përbërë prioritetin absolut të qeverisë shqiptare. 

Ky është një projekt me vlerë rreth 30 milionë euro,tha Kryeministri, por është më i rëndësishmi edhe nga pikpamja cilësore pasi është një projekt që pajis qytetarët shqiptarë me dokumentet më moderne të identitetit, duke vendosur një nga standardet më të mira të kontinentit për identifikimin e qytetarëve.

Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se vlerat dhe rrjedhojat e vendosjes së këtij sistemi identifikimi janë të një rëndësie të jashtëzakonshme duke i vlerësuar ato si shtyllat e suksesit të procesit të modernizimit të këtij vendi.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, Kryeministri Berisha, vlerësoi se pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet e reja dhe pasaportat biometrike është një moment i rëndësishëm që do të modernizojë në tërësi shërbimet në institucionet e tjera të vendit duke filluar nga pagimi i taksave e deri tek sigurimet shëndetësore.
Menaxheri i Përgjithshëm i Aleat Jean-Alain Joun shprehu kënaqësinë që brenda një kohe të shkurtër u arrit rikonstruksioni i ambienteve të ish-Topografisë Ushtarake, ku do të prodhohen Letërnjoftimet dhe Pasaportat e reja Biometrike. 

   
Kompania Aleat është një sipërmarrje e krijuar nga bashkëpunimi i Sagem Securite (SAFRAN Group) dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, i kontraktuar nëpërmjet një marrëveshje 5-vjeçare konçesionare nga qeveria shqiptarenë korrik të vitit 2008, për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave biometrike dhe pasaportave elektronike të një cilësie të lartë për të gjithë qytetarët shqiptarë.    

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:

 Është një ditë vërtetë dheumë e veçantë shumë e veçantë për shumë arsye sepse është një ditë që shqiptarët e presin prej 10 vitesh. Një ditë e shumëpritur. Është një ditë shumë e rëndësishme dhe e veçantë pasi për qeverinë time ky projekt ka përbërë prioritetin absolut. Gjatë këtyre viteve ne kemi firmosur projekte të mëdha për Shqipërinë. Ka prej tyre që kalojnë 1 miliard euro. Ndërsa ky është një projekt me rreth 30 milionë euro, por ky është më i rëndësishmi edhe nga pikpamja cilësore pasi është një projekt që pajis qytetarët shqiptarë me dokumentet më moderne të identitetit.


E gjithë rruga jonë është një rrugë përballje dhe krahasimi në një univers kërkesash e vlerash dhe ne arrijmë sot një nga standardet më të mira për kartat e dokumentit të indetifikimit të qytetarëve. Vlerat dhe rrjedhojat e vendosjes së këtij sistemi identifikimi janë të një rëndësie të jashtëzaokonshme të shumëllojtja, janë shtyllat e suksesit të procesit të modernizimit të këtij vendi.

Dëshiroj të shpreh falenderimet e mia më të sinqerta të gjithë atyre që bënë të mundur këtë projekt më ndërkombëtar se çdo projekt tjetër në memorien dhe kujtesën time. Ka qenë një proces me angazhime të shumta. Një seri kompanish të kontraktuara direkt nga qeveria apo të ofruara nga organizata ndërkombëtare, hollandezë, kroatë, austriakë bënë të mundur përgatitjen e dokumenteve të referencës për tenderin, me të cilin ne kemi bërë përkujdesjen për transparencën më maksimale. Ky tender u fitua në transparencë të plotë nga kompania lider në botë në fushën e këtyre dokumentave, Sagem, e cila ofroi padiskutim ofertën më të mirë dhe në kushtet më të mira dhe të favorshme. Sagem u paraqit në konsorciumin e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvilim, fondi më i suksessëhgm në të gjithë Europën ish-komuniste dhe që me bashkimin që bëri me Sagem solli jo vetëm kontributin e tij financiar, por edhe eksperiencën e tij të shkëlqyer për shqiptarët, për Shqipërinë, për vendin, kërkesat dhe nevojat.

Unë mund të them se jemi shumë krenar dhe i jemi shumë mirënjohës këtij konsorciumi për seriozitetin e madh që ka treguar në të gjithë punën që nga firmosja e kontratës deri tani. Një mirënjohje të veçantë dua të shpreh për Prezencën e OSBE-së në Tiranë, sepse kjo përfaqësi me ekspertizën dhe ndihmën financiare realizoi do të thosha në mënyrë të përsosur, dixhitalizimin e gjendjes civile të Shqipërisë. 14 mijë regjistra u digjitalizuan në një kohë rekord që përbëjnë jo vetëm një zhvillim pozitiv për vendin, por edhe një frymëzim për të gjitha agjencitë se si mund të punohet në këtë proces tepër të rëndësishëm.

Dua të falenderoj Komisionin Europian për të gjithë mbështetjen e qëndrueshme dhe të gjithashnshme që i ka dhënë këtij projekti, qeverinë e Francës dhe të Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që na kanë dhënë në këtë projekt.

Një falenderim shumë të veçantë dua t`ia drejtoj sot qeverisë austriake pa ndihmën dhe mbështetjen e së cilës nuk do të mund të ishim të mbledhur në këtë takim sot. Ajo dha një ndihmë të madhe miqësore, kompetente dhe i jemi shumë mirënjohës. Një falenderim dua ti bëj kompanisë ndërtuese, e cila në një kohë rekord këtë ndërtesë që ishte një ngrehinë e shpartalluar e ringriti dhe e shndërroi në një ndërtesë moderne ku prodhohen dokumenta ndër më modernët në Europë. Ky është një projekt i madh për Shqipërinë punëson mbi 1 mijë vetë. Unë dua të garantoj shoqërinë Aleat se qeveria shqiptare qëndron e vendosur t`a mbështesë atë në çdo hap që do të kenë nevojë për suksesin e plotë të këtij projekti, i cili është i garantuar para së gjithash nga reputacioni i shkëlqyer dhe ekspertiza e madhe e konsorciumit që po e zbaton atë.

Pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime të reja dhe pasaporta biometrike është një moment i rëndësishëm që do të transfomojë në tërësi shërbimet dhe në institucionet e tjera të këtij vendi, nga pagimi i taksave tek sigurimet shëndetësore, pra në një gamë shumë të gjerë.

 Edhe njëherë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë që me përkushtimin tuaj bëtë të mundur këtë ditë dhënien e kartës së parë.
Një falenderim të veçantë dua t`u jap punonjësve të ministrisë dhe të gjendjeve civile shqiptare, të cilët e treguan veten në lartësinë që kërkonte detyra dhe bënë realitet projektin më të komplikuar, por edhe më të rëndësishëm deri sot.
 


02/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›