V E N D I M PËR CILËSINË E LËNDËS DJEGËSE GAZOIL (DIEZEL), TË PRODHUAR NGA RAFINIMI I NAFTËS BRUTO, TË NXJERRË NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE TË TREGTUAR PËR AUTOMJETE RRUGORE E GJENERATORË
V E N D I M
PËR
CILËSINË E LËNDËS DJEGËSE GAZOIL (DIEZEL), TË PRODHUAR NGA RAFINIMI I NAFTËS BRUTO, TË NXJERRË NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE TË TREGTUAR PËR AUTOMJETE RRUGORE E GJENERATORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.8897, datë 16.5.2002, “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, dhe të neneve 8 e 9, të ligjit nr.9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Lejimin e përdorimit në territorin e Republikës së Shqipërisë deri më 31 dhjetor 2009 të lëndës djegëse gazoil (diezel), për automjetet rrugore dhe gjeneratorë, e cila në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101945 dhe plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, vetëm për lëndën, që prodhohet në rafineritë e vendit nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë nga vendburimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Lejimin e ARMO, sha-së, t’ua shesë produktin e vet gazoil (diezel), që në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101945 dhe që plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, vetëm subjekteve, që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, të pajisura me “leje tregtimi të llojit A”, sipas legjislacionit në fuqi.
3. ARMO, sha-ja, për shkak të pozicionit dominues në treg për produktin gazoil (diezel), që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101945 dhe që plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, duhet t’u ofrojë, të gjitha subjekteve tregtare të licencuara, çmime dhe kushte të njëjta e transparente tregtimi.
4. Çmimet e shitjes, të negociuara nga ARMO, sha-ja, dhe subjektet tregtare, të licencuara për produktin gazoil (diezel), që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101945 dhe që plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, duhet:
a) të jenë të orientuara drejt kostos së këtij produkti;
b) të reflektojnë luhatjet e çmimit për këtë produkt në tregun evropian të bursës PLATTS dhe në tregun rajonal;
c) të respektojnë raportin e ndryshimit të çmimit, ndërmjet produktit gazoil (diezel), që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101945 e që plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997, dhe të produktit gazoil (diezel), që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101941 e që plotëson kërkesat e standardit S SG EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të.
5. ARMO, sha-ja brenda datës 5 (pesë) të çdo muaji duhet të raportojë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Autoritetit të Konkurrencës për:
i) sasinë e naftës bruto të blerë;
ii) sasinë e prodhimit të realizuar nga rafinimi;
iii) sasinë e tregtuar të produkteve të rafinimit;
iv) çmimet e blerjes dhe të shitjes, sipas kontratave të shitblerjes për këto produkte;
v) kushtet e tjera të tregtimit, gjatë muajit pararadhës.
6. Në territorin e Republikës së Shqipërisë, lënda djegëse (diezel), që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet në kodin 27101941, dhe që plotëson kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, dhe është prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë nga vendburimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, lejohet të tregtohet për automjetet rrugore dhe për gjeneratorë vetëm sipas kushteve të mëposhtme:
a) Nga data 1 janar 2010, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët diezel nuk lejohet të kalojë vlerën 350 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 % m/m.
b) Nga data 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit nuk lejohet të kalojë vlerën 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 % m/m.
c) Nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit nuk lejohet të kalojë vlerën 10 mg/kg dhe lënda djegëse gazoil (diezel) duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar që, në nomenklaturën e mallrave, përshkruhet me kodin 27101941, e që plotëson kërkesat e standardit S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të.
7. Nëse pas afateve të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “c”, të pikës 6, të këtij vendimi, vërehet tregtimi i lëndës djegëse (diezel) me cilësi, që nuk respekton kërkesat e këtij vendimi, ajo sekuestrohet dhe dërgohet në destinacionin e përcaktuar nga Inspektorati Qendror Teknik.
8. Subjektet importuese të lëndës djegëse gazoil (diezel), që në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101945 dhe që plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, lejohen të importojnë vetëm kur paraqesin në organin doganor dhe në Inspektoratin Qendror Teknik, kontratën e shitjes, me përdoruesit, ku është specifikuar destinacioni i përdorimit në Shqipëri, për sasinë e produktit që importojnë, destinacion, i cili duhet të jetë i ndryshëm nga tregtimi për përdorim në automjete rrugore dhe gjeneratorë. Organi tatimor, në mënyrë periodike, bën verifikimin e përdorimit, sipas kontratave dhe destinacionit dhe informon Inspektoratin Qendror Teknik.
9. Sasitë e lëndës djegëse gazoil (diezel), që në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101945 dhe që plotëson kërkesat e standardit S SH 31:1997, të cilat janë importuar para datës 1 janar 2009 dhe janë gjendje në magazinat doganore apo pikat e depozitimit dhe tregtimit, lejohen të tregtohen.
10. Vendimi nr.1110, datë 30.7.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për cilësinë e lëndës djegëse diezel, të prodhuar nga ratifikimi i naftës bruto vendase”, shfuqizohet.
11. Ngarkohet ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministri i Financave për nxjerrjen e një udhëzimi të përbashkët në dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
21/01/2009