E Diel, 1 Nëntor 2026

D.V shpreh shqetësim për rënien e numrit të votuesve

Përfaqësuesit e këtij koalicioni kanë komentuar edhe zhvillimet e deritanishme të organizimit të procesit zgjedhor. Ata tashmë kanë përzgjedhur 10 koordinatorët rajonalë dhe janë në fazën e përzgjedhjes së monitoruesve afatgjatë (komunalë) të cilët do të merren me vëzhgimin e fushatës zgjedhore.
Rekrutimi i vëzhguesve të procesit zgjedhor do të bëhet së shpejti.

Programi i Demokracisë në Veprim për vëzhgimin e zgjedhjeve përfshin disa komponente, nga monitorimi i procesit zgjedhor, monitorimi i fushatës parazgjedhore, koston e fushatës, mediat dhe ditën e zgjedhjeve. Po ashtu një komponentë tjetër e rëndësishme e projektit të Demokracisë në Veprim është fushata për nxitje të qytetarëve që të jenë aktiv dhe përmes pjesëmarrjes ne zgjedhje të demonstrojnë kontributin tyre ne ndërtimin e shtetit demokratik.

Koalicioni Demokracia në Veprim është shumë e shqetësuar me rënien e numrit të votuesve në zgjedhjet e kaluara dhe se ky koalicion do të punojë për të siguruar një dalje sa më të madhe të qytetarëve në votim. Ata përkrahin dhe inkurajojnë të gjitha palët e përfshira në proces: KQZ në, partitë politike dhe shoqërinë civile - në përpjekjet e tyre për të ngritur numrin e votuesve.

Pjesëmarrja masive në zgjedhje është një element thelbësor i demokracisë dhe çdo votë në zgjedhje ka peshë të madhe.  Ky koalicion ka kërkuar nga KQZ ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të jenë më efikas në procesin e azhurimit të listave të votuesve, nga të cilat duhet të hiqen personat që tanimë kanë vdekur.

Ky proces konsiderohet si hap i domosdoshëm në mënyrë që mos të paraqiten parregullsi sikur në zgjedhjet e kaluara kur ka ndodhur që të votohet në emër të votuesve të cilët kanë qenë të vdekur në kohën kur janë mbajtur zgjedhjet. Në anën tjetër konsideron se KQZ ja është vonuar në fillimin e fushatës për edukimin e votuesve për zgjedhjet e lokale që do të mbahen në nëntor.

Demokracia në Veprim përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) organizata që kanë vëzhguar zgjedhjet e vitit 2007, të cilat kanë partneritet me mbi 60 OJQ të tjera anembanë Kosovës. Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në emër të Demokracisë në Veprim është akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për vëzhgimin e zgjedhjeve. (qik/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›