E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç: Kohë për paqe dhe për një të ardhme më të mirë për Ballkanin

NJU JORK- Kryeministri serb, Ivica Daçiç deklaroi pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi çështjen e Kosovës, se ishte koha për stabilizimin e paqes dhe për një të ardhme më të mirë në rajonin e Ballkanit. 

"Marrëveshja që ne firmosëm është e një rëndësie historike, me gjithë vullnetin e mirë për ta bërë Ballkanin një rajon paqeje dhe stabiliteti", shtoi Daçiç. 

Daçiç u shpreh i kënaqur pas komenteve pozitive për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian.
"Gjatë dy takimeve të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u nënshkruan marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit. Të gjithë anëtarët e këshillit komentuan pozitivisht për të nxitur Beogradin dhe Prishtinën për nënshkrimin e marrëveshjes", nënvizoi ai.
"Takimet e Këshillit të Sigurimit në 20 vitet e fundit kishin në qendër diskutime mbi luftëra, sanksione dhe një fushatë bombardimesh ndaj Serbisë. Është koha t'i kushtojmë të njëjtën vëmendje ndërtimit të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për ballkanasit", përfundoi Daçiç. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›