PD: Ka ardhur koha që Edi Rama të mos e fshehë më të vërtetën dhe t’i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve!
Deklaratë e zëdhënëses së PD, Laura Vorpsi
“Para tetë ditësh, morëm vesh nga media se Edi Rama ka thyer ligjin duke mos bërë deklaratën e të ardhurave. Dhe për shtatë ditë tashmë, Edi Rama ka qëndruar i heshtur duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve shumë të thjeshta që kanë qytetarët. Gjatë kësaj kohe kemi marrë vesh nga raportimet e medias se Edi Rama nuk ka paguar taksat për pjesë më të madhe të të ardhurave prej 9.3 milion lekësh, që ai thotë se i ka fituar nga Kurbani dhe se Linda Rama ka ndërtuar një pallat në Tiranë - por nuk ka deklaruar asnjë kosto për ndërtimin e pallatit.
Edi Rama tashmë është nën hetim nga zyra e tatim taksave për mos-deklarimin e të ardhurave dhe pallati i Linda Ramës është nën hetim nga zyra e prokurorisë së Republikës së Shqipërisë për parregullsitë me lejen e ndërtimit.
Por sot u zbulua se mashtrimet e Ramës mund të jenë edhe më të rënda seç e kishim menduar në fillim. Dhe se çifit Rama jo vetëm që mund të ketë kryer evazion fiskal duke mos paguar detyrimet mbi fitimet e librit Kurban, por mund të ketë kryer edhe evazion fiskal me ndërtimin e pallatit në Tiranë dhe vilës në Dajt, ose madje edhe marrje rryshfetesh dhe pastrim parash.
Pyetjet që ngrihen tani janë serioze. Dhe tani që kanë mbetur shumë pak ditë nga dita e zgjedhjeve, qytetarët meritojnë të dinë të vërtetën përpara se të hidhet qoftë edhe një votë e vetme. Edi Rama tha para gjashtë muajsh se “publiku ka të drejtë të marrë përgjigje, por në një kohë tjetër”.
Tani është koha që Edi Rama t’i përgjigjet këtyre pyetjeve:
1) Kurban: Pse Edi Rama e vonoi deklaratën mbi të ardhurat nga libri Kurban? Cili është burimi i 5 milion lekëve të ardhura të pashpjegueshme të Kurbanit? Kur do t’i paguajë Edi Rama edhe të paktën 500.000 lekë taksa detyrime që ende nuk i ka paguar për Kurbanin? Mos mendon Rama se ai është mbi ligjin?
2) Pallati në Tiranë: Pse nuk ka asnjë kosto ndërtimi të deklaruar për ndërtimin e pallatit të Linda Ramës në Tiranë? A mos vallë çifti Rama i ka këmbyer kostot e ndërtimit të pallatit me favore politike? Mos janë marrë apo dhënë rryshfete? Apo mos çifti Rama nuk i ka deklaruar kostot e ndërtimit për të shmangur detyrimet e taksave?
3) Vila në Dajt: Si e kanë blerë çifti Rama tokën për ndërtimin e vilës në Dajt 40 herë më pak se vlera e tregut? Mos i kanë premtuar familjes Bushati favore politike në këmbim të tokës? Apo mos po deklarojnë një vlerë më të ulët nga vlera e shitjes së tokës për të shmangur tatimet? Dhe a e ka paguar çifti Rama ndonjëherë taksën e infrastrukturës për ndërtimin e vilës së tyre në Dajt, që është vlerësuar në rreth 15.000 euro - apo mos po e fshehin edhe atë?
Tashmë ka ardhur koha që Edi Rama të mos e fshehë më të vërtetën dhe t’i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve!”