Daçiq: Ose do ta zbatojmë IBM ose nuk do të bisedojmë

Austria do të vazhdojë t’i mbështes integrimet evropiane të Serbisë edhe në takimin e dhjetorit të Këshillit të Evropës, mirëpo për këtë ekzistojnë kushte ndonjëherë edhe të dhimbshme, ka rekomanduar sot në Beograd vicekancelari dhe ministër i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Shpindeleger.
Pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, kryeshefi i diplomacisë austriake ka cekur se pret normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës si përmbushje të pikave që janë dakorduar para marrjes së statusit të kandidatit. Daçiq e ka cekur si më të dhimbshëm dhe më të vështirë zbatimin e marrëveshjes mbi menaxhimin e integruar të vendkalimeve (IBM) për të cilën ka thënë se në qoftë se nuk zbatohet “nuk mund të bëjmë asgjë”.
Sipas Daçiqit shteti rreth kësaj çështje është në pat pozicion dhe po mundohet që me anë të grupeve të punës të bëjë që marrëveshja të bëhet zbatueshme ”sa më shumë neutrale ndaj statusit”. Kryeministri serb ka thënë se ”Serbia këtu nuk ka shumë hapësirë manovruese. Janë dy mundësi – ta zbatojmë marrëveshjen ose të themi nuk do ta zbatojmë dhe kjo të thoshte se në temën integrimeve evropiane më nuk bisedojmë”, raporton RTK.
Ai ka vënë në dukje se Serbia për momentin po negocion mbi atë se kush do t’i mbledh të hyrat në dy pika të kontestuara të kontrollit. Ai poashtu ka thënë se propozimi i Beogradit është që të hyrat nga mallrat që shkojnë në veri të Kosovës të shkojnë në komunat veriore ose të vendosen raportet të plota jo-doganore.
“Do të mundohemi të nxjerrim sa më shumë. Nuk pres se serbët nga Kosova të jenë të entuziazmuar, sikur që nuk është e entuziazmuar as Qeveria”, ka përfunduar Daçiq. ”Gjithnjë derisa mundemi, derisa kjo nuk i rrezikon interestat kombëtare e shtetërore, do të ecim rrugës evropiane”, ka nënvizuar Daçiq duke përfunduar se do të ishte më mirë që Beogradi e Prishtina të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme, por që sipas tij të gjithë nuk janë të gatshëm në këtë. “Ne jemi të gatshëm”, ka thënë Daçiq./Indeksonline/