Zbulohen edhe 180 kg drogë në Vlorë

Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Dajko” bëri të mundur zbulimin dhe bllokimin e 180 kilogramëve lënde narkotike "cannabis sativa" ndërsa vuri në pranga edhe dy transportuesit e saj.
Burime zyrtare nga policia i thanë noa, se 35 vjeçari Ajaz Lile nga fshati Shalë e Sarandës dhe 56 vjeçari Haxhi Çumani nga Saranda në bashkëpunim me njëri-tjetrin pasi kanë siguruar lëndën narkotike në fshatin Lazarat, e kanë transportuar dhe fshehur në fshatin Konispol, në afërsi të kufirit me Greqinë duke e vendosur drogën në katër çanta sportive në pritje për ta trafikuar atë në Greqi.
35 vjeçarit Lile, në cilësinë e provës materiale i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri gjahu teke të cilën e posedonte pa leje.
Nga ana e policisë dyshohet se Ajaz Lile ka qenë një prej personave më të rëndësishëm në organizimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të marihuanës nëpërmjet kufirit jugor nga Shqipëria në Greqi./Indeksonline/