E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje përshëndet lirimin e Haradinajt, Brahimajt dhe Balajt

(E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje përshëndet lirimin e Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj nga akuzat në Tribunalin e Hagës.

Vendimi për pafajësinë e Komandantit të UÇK-së dhe ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe njëherë dëshmi se lufta jonë ka qenë e drejtë, e dinjitetshme dhe çlirimtare.

Me këtë rast, përpjekjet për ta zhvendosur dhe transformuar qëllimin e luftës për çlirim nga Serbia u hodhën poshtë si të pavërteta e të pavlefshme.

Gjejmë rastin të shprehim mirënjohje e nderim të thellë për të gjithë luftëtarët që kontribuuan me jetën, përpjekjet dhe qëndresën e tyre në çlirimin e Kosovës.

.....

Urimet për shpalljen e pafajshëm të Ramush Haradinajt nuk po ndalen. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Deputetëve të Rinj e kanë përshëndetur këtë lajm.

---

Organizatat e dala nga luftërat, Shoqata Vatra, Lëvizja për Bashkim dhe Partia demokratike Shqiptare, kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimaj.

“Duke besuar thellësisht në pastërtinë e luftës dhe bartësve të saj, ne e kemi ditur se nuk ka forcë që do të mund të argumentojë fajësinë e atyre që morën pushkët për të çliruar Atëdheun dhe për të mbrojtur popullatën civile nga një shtet terrorist e gjenocidal. Një urim i veçantë sot, është për familjet Haradinaj, Brahimaj e Balaj, të cilat edhe pse kaluan në peripeti të ndryshme gjatë këtyre viteve të gjata të gjykimit e rigjykimit, qëndruan të fortë, asnjëherë nuk u lëkundën dhe gjithherë ishin krenarë me bijtë e tyre dhe me luftën e UÇK-së”, kanë shkruajtur në urimin e tyre OVL UÇK.

Një urim tjetër familjes Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj, i ka ardhë edhe nga shoqata e shqiptarëve nga Kosova Lindore “Vatra”.

“ Urojmë përzemërsisht për lirimin e komandantit të zonës operative të Dukagjit, ish- Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij nga Tribunali i Hagës. Me këtë verdikt u dëshmua edhe një herë pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ashtu urojmë që të gjithë luftëtarët e lirisë që gjenden në Burgje të jenë të lirë për të cilën liri kanë dhënë shumë”, shkruan në urimin e shoqatës “Vatra”.

E lëvizja për Bashkim dhe Partia Demokratike Shqiptare, kanë përshëndetur vendimin e gjykstës Ndërkombëtare, për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tjerë.

“Fitorja e Ramushit do të thotë faqebardhësi për të gjithë kombin shqiptar. I urojmë fillimisht shumë shëndet me dëshirë për suksese të reja. Ramushin e presin beteja dhe fitore të reja dhe ne vazhdojmë të kemi shumë besim te vendosmëria e Tij për ta çuar përpara Kosovën dhe kombin shqiptar”, shkruan në urimin e Partisë Demokratike Shqiptare./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›