Daçiq: Serbia me vite nuk e ka Kosovën

Ligjvënësit e Kuvendit të Serbisë po debatojnë sot mbi raportin e qeverisë serbe lidhur me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave Daçiq e Thaçi mbi rregullimin e raporteve midis Serbisë e Kosovës respektivisht zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës për çka arsyetimin dha kryeministri Ivica Daçiq. Duke qenë se partitë në pushtet të mbështetur nga shumica e partive të opozitës do ta kenë shumicën absolute, atëherë edhe pritet mbështetje e madhe e këtij dokumenti.
Mirëpo, edhe fillimin e mbledhjes së sotme e shoqëruan polemikat e mëdha ndërmjet deputetëve të Partisë demokratike të Koshtunicës të cilët e quajnë marrëveshjen të papranueshme dhe shitje të Kosovës dhe kryeministrit Ivica Daçiq.
Daçiq rekomandoj në fjalën e vet se Serbia me marrëveshjen e Brukselit nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, as që ka kapitulluar dhe ka cekur se refuzimi i kësaj marrëveshje ka mundur të përfundojë me “stuhinë e Kosovës” (dëbimin e serbëve nga veriu).
Ai ka thënë se askush nga BE as që ka kërkuar nga Serbai që ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe sikur ta kishin kërkuar Serbia këtë nuk do ta pranonte.
“Kjo është zgjidhje e përkohshme, në situatën e dhënë, dhe më shumë që është mundur në kuadrin në të cilin është arritur marrëveshja në Bruksel” ka cekur Daçiq dha ka shtuar se Serbia duhet ta vazhdojë luftën për zgjidhjen përfundimtare të statusit të “Kosovës e Metohisë”.
“Nëse dikush këtë e kupton si zgjidhje përfundimtare, mendoj se po hyn në zonën shumë problematike të asaj që dëshiron Prishtina ta imponojë – ne jemi marrë vesh vetëm rreth aranzhmanit të përkohshëm” ka sqaruar Daçiq.
Duke përsëritur se marrëveshja është më së shumti që ka mundur ta arrijë Serbia në këtë moment edhe pse me atë shumë nuk janë të kënaqur dhe të gjithë do të ishin fatlum sikur të mundej më shumë, Daçiq tha se në diplomaci është mençuri të arrihet ajo që është e mundshme, transmeton rtk.
“Nëse sillemi ndryshe mund ta humbim edhe atë që realisht e kemi fituar. Çfarë ka qenë alternativa? Ti braktisim negociatat dhe ta bllokojmë procesin, ta izolojmë vendin, që në forumet ndërkombëtare të flitet pa prezencën tonë, dhe rezultat i kësaj do të ishte eksodi i serbëve”, theksoi Daçiq.
Ai ka nënvizuar se derisa Serbia rri në tavolinë ka shans ta përmirësojë pozitën, por kur ngrihet nga ajo humb çdo gjë.
“Kjo qeveri nuk ka dashur të lejojë e as që do të lejojë një gjë të tillë” ka rekomanduar ai
Prandaj, ka thënë Daçiq, marrëveshjen duhet shikuar si kartë të të drejtave dhe lirive të serbëve. “Më lehtë është të durojmë ne fyerje e kërcënime se të shikojmë pësimin popullit, me këtë kemi mundësuar vazhdimin e integrimeve evropiane që për shtetin dhe popullin tonë janë të rëndësishme” ka cekur Daçiq.
Me këtë marrëveshje, sipas tij, askush nuk ka humbur as fituar, procesi i zgjidhjes së nyjes së Kosovës do të jetë i gjatë dhe i rëndë. “T’i ruajmë forcat për atë detyrë, e jo për grindje”, ka shtuar Daçiq, ndërsa
duke e përfunduar fjalimin e vet të ndërprerë shpesh nga reagimet e disa deputetëve, Daçiq tha se “neve në këtë moment na është ndarë përgjegjësia historike dhe nuk mund të ikim nga ajo, dhe jam i bindur se për momentin nuk kemi mundur më mirë”.
Ai tha se qeveria është e gatshme të shkojë edhe në referendum për mbështetjen ose jo të këtij dokumenti nëse ky parlament e konsideron këtë si të arsyeshme, ama duhet të keni parasysh, theksoi ai, se referendumi vetëm do të shkaktojë përçarje më të mëdha.
Duke iu përgjigjur shpesh reagime të deputetëve të DSS, Daçiq tha se gjatë kohës së qeverisjes së tyre Kosova e ka shpallur pavarësinë dhe janë djegur ambasadat e xhamitë.
“Nëse e deshët aq shumë Kosovën, përse nuk shkuat atje me ushtri për ta mbrojtur? Kjo është çështje të jesh o të mos jesh, por jo vetëm për veriun e Kosovës veç për mbarë Serbinë, po zgjedhin nëse Serbinë nesër do ta kemi në kuzhina popullore dhe në lot ngulfatës, apo të fortë e me prosperitete, dhe u rekomandoj atyre se janë në pakicë të madhe dhe kjo nuk do të thotë se kanë të drejtë, por duhet ta respektojnë mendimin e shumicës dhe të punojnë në interes të Serbisë”, theksoi Daçiq.
“Fakti që dikush nuk po do të rrej mbi Kosovën nuk do të thotë se e do më pak nga ju. Kemi luftuar, vendi është munduar nga sanksionet, i kemi humbur betejat dhe territoret, vetveten e kemi plaçkitur gjatë tranzicionit dhe vetëm nëse do të kemi kurajo dhe vetveten nuk e rrejmë, do të kemi vizion, gjenerata jonë do t’ia dal që nga Serbia të bëjë një Serbi me prosperitete”, tha Daçiq.
Kjo ka qenë arsyeja përse kemi negociuar me Prishtinën, dhe kjo është bërë për tu vënë pika në të kaluarën, në mjerimin dhe disfatat.
Daçiq theksoi se Serbia me vite nuk e ka Kosovën, nuk e ka ushtrinë, policinë, ndërsa shtoi se “institucione kemi në një pjesë të vogël të Kosovës dhe shteti do t’i ruaj ato”. Ai poashtu vuri në dukje se Serbisë i duhet të jetojë e jo të sakrifikojë.
Debati po vazhdon ende ndërsa kundër marrëveshjes janë vetëm 15 deputetë të Partisë së Koshtunicës./Indeksonline/