Mbi 6 milion euro borxh tatim në pronë

Në një konferencë me gazetarë, Nuhi Nuhiu, drejtor për Buxhet dhe Financa i Komunës së Gjilanit ka hequr dilemat e qytetarëve dhe mjegullinë e krijuar për pagesat e tatimit në pronë si dhe bllokimin e mundshëm të llogarive bankare për borxhlinjtë.
Ai tha se tatimi në pronë është e drejtë ligjore e Komunës, që aplikohet ndaj të gjithë qytetarëve, duke përfshirë edhe shërbyesit civilë, për kohën nga viti 2003-2012.
Nuhiu ka thënë se disa deklarata politike kanë shkaktuar shqetësime tek qytetarët për mënyrën e pagesës së tatimit në pronë.
Nuhiu tha se komuna po mundohet të mbledhë borxhin e viteve 2003-2012, e, i cili borxh shkon në 6 milion e 800 mijë euro.
Nuhiu ka thënë se dezinformimi shpeshherë këto ditë është bërë edhe lidhur me hapin e marrë nga ana e komunës për bllokimin e llogarive për shërbyesit civilë, punëtorët arsimorë dhe ata të shëndetësisë primare, që numri i përgjithshëm është 2551 duke mos përfshirë këtu FSK-në, Policinë e Kosovës, punëtorët në Spitalin Regjional, kompanitë publike. “Ky hap i ndërmarrë nga ana e drejtorisë, ka ndikuar që këto ditë të shtohet fluksi i punëtorëve që bëjnë pagesën e tatimit në pronë, por edhe i qytetarëve”, ka thënë drejtori Nuhiu.
Ne jemi angazhuar për të mbledhur borxhet nga viti 2003-2012, që arrijnë afër 7 milionë euro, bashkë me ndëshkimet dhe kamatat, ka thënë Nuhiu, duke sqaruar se bllokimi i xhirollogarisë së shërbyesve civilë, por edhe i borxhlinjve të tjerë, është hap ligjor dhe i bazuar në vendimin e nënshkruar nga presidenti i atëhershëm Jakup Krasniqi.
Ai ka mohuar zërat se shërbyesve civilë apo ndokujt tjetër se do t’i ndalohen pagat edhe për borxhin e vitit 2013. “Nëse kategoritë që marrin paga nga buxheti i shtetit, nuk e paguajnë borxhin deri më 5 maj, atëherë atyre do t`u bllokohen llogaritë bankare”, ka thënë ai.
Nuhiu beson se shumica prej tyre tashmë e kanë kryer obligimin e tyre ligjor. Janë rreth 20 zyrtarë komunalë që kanë qenë borxhli të tatimit në pronë, derisa tek serbët gjendja është më e mirë, ka thënë ai.
Edhe sa i përket normës tatimore, Nuhiu sqaroi se rritja është bërë për 87 për qind, e jo si thuhet qind për qind e më tepër dhe ajo është vërejtur tek qytetarët për një arsye të vetme, ngase Komuna e Gjilanit prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, këtë normë e ka ulur në minimumin e lejuar, ndërsa tani është dashur të harmonizohet me komunat tjera.
Drejtori Nuhiu ka thënë se tatimi në pronë është e vetmja e hyrë e qëndrueshme financiare dhe dedikohet për investime kapitale. Asnjë cent nuk guxon të shpenzohet për ndonjë kategori tjetër.
Ai edhe sot ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Gjilanit që t1i shlyejnë borxhet që i kanë ndaj tatimit në pronë, duke rikujtuar se afati prej 5 ditësh është një rast i mirë që shërbyesit civil të paguajnë obligimin, deri në këtë datë për të mos pas nevojë të ndërmerret një hap i tillë ndaj tyre. /Indeksonline/