E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq në Bruksel, me kërkesë për autonomi serbe brenda Kosovës

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi sonte që në takimin e ardhshëm me Thaçin do t’i përmbahet rezolutës dhe platformës së kuvendit të Serbisë, e cila propozon formimin e bashkësisë së komunave serbe në Kosovë. Duke e cilësuar Kosovën si autonomi në Serbi, ai shtoi kjo bashkësi e komunave serbe do të ishte autonomi serbe brenda Kosovës.

“Është pyetje se a do ta pranojë Prishtina këtë. Nëse Prishtina nuk e do këtë, atëherë Serbia me siguri nuk do t’i shuajë institucionet e saj në Kosovë. Por, edhe për ne është absolutisht e papranueshme që serbët të inkuadrohen në institucione të Prishtinës pa institucionet e veta”, tha Daçiqi për TV Pink.

Sipas fjalëve të tij, Beogradi kërkon që në Kosovë të formohet bashkësia e komunave serbe me kompetenca të qarta në fusha të caktuara, kurse më të rëndësishmet janë arsimimi, gjyqësori - në shkallën e parë dhe të dytë, si dhe policia lokale, e cila do të duhet të ketë raporte të caktuara me Policinë e Kosovës, por edhe me atë serbe në Beograd.

“Por, atëherë, askush nuk do të mund të akuzojë Serbinë se ka dhe se duhet të shpërbëjë institucionet dhe ato do të jenë institucione të popullit serb në Kosovë e Metohi”, u shpreh kryeministri serb

Ai shtroi edhe pyetjen për ata që e kritikojnë këtë qëndrim, duke pyetur se “cila është alternativë për këtë, mbase nuk duam që me forcë ushtarake ta kthejmë sovranitetin mbi Prishtinën. Nuk duam, sepse nuk mundemi”.

“Ushtarët (serbë) e dinë se ne këtu nuk luftojmë me Prishtinën, por me NATO-n, bile edhe me Unionin Evropian, i cili nganjëherë ia mban anën Prishtinës, e jo Beogradit”, shtoi Daçiq.

Sipas tij, disa qarqe ndërkombëtare mendojnë se tashti është koha për “yrysh” ndaj Beogradit, në mënyrë që nga ai të merren sa më shumë lëshime pasi Serbia lufton për marrjen e datës për anëtarësim në BE, por, sipas tij, presionet e tilla do të “mbysnin dialogun, kurse Serbia ka ofruar zgjidhje korrekte”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›