E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci: Institucionet nuk kanë njohuri të mjaftueshme

Prishtinë - Gjatë një takimi me ambasadorin slloven në Prishtinë Jozef Hlep, kryetari i Partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë Nexhat Daci the se Institucionet e Kosovës nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të menaxhuar me krizat, vitet e ardhshme do të jenë të vështira për Kosovën. “Ky koalicion nuk garanton se ka mundësi të menaxhoj me këto kriza, andaj nuk garanton gjumë të rehatshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës”- u shpreh kryetari Daci.

Ai vlerësoi lartë punën, përkushtimin dhe kontributin e shtetit slloven që ka dhënë për Kosovën me vite të tëra. “Kontributi i Sllovenisë është shumë i madh jo vetëm në kohët e fundit por edhe gjatë viteve të 90-ta, dhe padyshim qeveria sllovene e gëzon respektin e qytetarëve të Kosovës për investimin e tyre serioz që kanë bërë dhe po e bëjnë në Republikën e Kosovës, sidomos për hapat e ndërmarra në mënyrë të shpejt për njohjen e vendit tonë shtet i pavarur dhe sovran” – u shpreh kryetari Daci në takimin që zhvilloj me ambasadorin e Sllovenisë z. Hlep në selinë e LDD-së në Velani.

Kryetari në vazhdim e njohu ambasadorin me aktualitetin politik në nivel vendi, ku kërkoj nga z.Hleb që Sllovenia akoma të jetë e pranishme në Kosovë, si dhe të kemi bashkëpunim, sidomos në ekonomi, arsim, shkencë dhe kulturë. Me këtë rast kryetari Daci tha, se Qeveria e Kosovës nuk ka grup të përgatitur profesionalisht e cila do të mundë ta niste Kosovën në një rrugë nëpërmjet të cilës mundë ta nxjerr nga kriza ekonomike.

Akademik Daci po ashtu tha se, janë qesharake deklaratat e Qeverisë së Kosovës, se gjëja vendin tonë nuk e ka përfshirë kriza globale, me ç’rast shtoi se, krizat globale nuk mundë të ndalen në kufi por mundë të luftohen nëpërmjet strategjisë të cilën duhet patjetër që të kenë Institucionet e Kosovës. Model i tyre mundë të jetë edhe shteti slloven.

Ambasadori Hlep po ashtu shprehu bindjen e tij, se niveli i bashkëpunimit ndërshtetëror duhet të ngritët në vazhdimësi, sidomos në fushën e ekonomisë, arsimit, shkencës dhe kulturës, për të cilat Kosova ka nevojë dhe njëherësh ka kapacitete për një intensifikim të këtyre marrëdhënieve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›