Daçiç: Kosova duhet të ndahet mes Shqipërisë dhe Serbisë

“Kemi bërë përpjekje që me luftë ta mbrojmë Kosovën, por nuk ia dolëm. Prandaj flas për ndarje, ndërsa nuk është vonë. E ndarje do të thotë të rregullohen kufijtë ndërmjet dy shteteve fqinje Serbisë dhe Shqipërisë, ka deklaruar për numrin më të ri të përjavshmes serbe, NIN, Ivaca Daçiç, zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë.
Daçiç konsideron se Serbia ka gabuar që për Kosovën nuk ka biseduar me Shqipërinë dhe se, ka thënë ai, është e nevojshme që Kosova të ndahet ndërmjet Serbisë e Shqipërisë. “Është i nevojshëm caktimi i kufijve ndërmjet Serbisë e Shqipërisë, ky është opsioni i vetëm real. Serbia nuk është dashur të pranonte asnjë negociator tjetër, përveç Shqipërisë. A jemi vërtet aq naivë e të mendojmë se Kosova në të vërtetë do të mbetet si shtet më vete dhe i pavarur”, ka thënë ai duke shtuar se deklararat për një Kosovë multietnike nuk janë gjë tjetër përveç se përrall.
I pyetur se pse mendon se është më lehtë të ndahet Kosova ndërmjet Serbisë e Shqipërisë sesa ndërmjet Serbisë e Kosovë, Daçiç ka theksuar se shqiptarët në Kosovë janë minoritet kombëtar i Shqipërisë.
Ai gjithashtu ka vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk do të zgjidhë çështjet esenciale, për shkak të qëndrimit të vendeve të BE-së e SHBA dhe se arritja më e madhe e bisedimeve do të jetë “një lloj autonomie speciale për serbët në veri”.