Ministri Hoxhaj, aktivitete të shumta në Paris
Vizita e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj në Paris, po vijon me aktivitete të ngjeshura. Ky njoftim vjen nëpërmjet një deklarate të kësaj ministrie.
Ndërkaq, kryediplomati kosovar ka mbajtur ditën e sotme një fjalim para 50 anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit francez, gjatë së cilit “është fokusuar te shtetndërtimi dhe stabiliteti i Kosovës, tek implementimi i Pakos së Ahtisaarit për të drejtat e minoriteteve si dhe tek përmbyllja e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës”.
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Asamblesë Nacionale të Francës, Axel Polniatovski, praninë e Enver Hoxhajt e ka quajtur “mundësi unike për të mësuar më shumë për zhvillimet në Kosovë”.
Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, gjithashtu tregon se kryediplomati kosovar, ka takuar edhe Ministrin e Industrisë dhe Ekonomisë Digjitale, Erik Beso, ndërsa më vonë do të zhvillojë një takim me përfaqësues të jetës akademike dhe të shoqërisë civile të Parisit.