E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daciç: Nuk mund të shmanget çështja e statusit

Çështja e statusit të Kosovës nuk mund të shmanget më, sepse gjithnjë e më shpesh do të jetë si një nga kushtet e Serbisë për integrimet evropiane- ka deklaruar zëvendëskryeministri serb, Ivica Daciç.

Në prag të vazhdimit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, Daciç ka theksuar se është në interes të Serbisë që “kriza” në Kosovë të zgjidhet sa më shpejtë dhe të kapërcehen të gjitha çështjet e kontestueshme në nivel teknik.

Siç transmeton B92, ai ka theksuar se Beogradi për të arritur marrëveshje me Prishtinën që është në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, duhet të theksojë se: “Serbia nuk mund ta pranojë pavarësinë e Kosovës as në mënyrë të direkte, e as indirekte” dhe se “ka të drejtë të shfaqë interesin e vet shtetëror dhe kombëtar”.

Daciç ka thënë se akoma mbetet si çështje thelbësore statusi i Kosovës, që, sipas tij, nuk mund të shmanget më në planin e politikës së jashtme, sepse dita ditës gjithnjë e më shumë do të vihet si një nga kushtet për integrimet evropiane të Serbisë.

Duke thënë se Serbia duhet t`i pranojë të gjitha zgjidhjet praktike, Daciç ka shtuar se mbështet qëndrimin e serbëve nga veriu i Kosovës që nuk duan të jetojnë në Kosovën e pavarur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›