Daçiç kërkon reagim ndërkombëtar për sulmin në Dobrosin

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ka kërkuar reagimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të forcave ndërkombëtare në Kosovë për sulmin në rajonin e policisë në Dobrosin.
Një ditë më parë, Daçiç ka thënë se “grupe të armatosura të shqiptarëve” kanë sulmuar këtë post-bllok të policisë në rrethinë të Bujanocit, nga kufiri me Kosovën.
Pas qëndrimit të sotëm në Dobrosin, Daçiç ka thënë se qëllimi i sulmuesve ka qenë “ vrasja e policëve”. “Ky është shembull i shkeljes drastike të të gjitha marrëveshjeve me komunitetin ndërkombëtar. Pres që forcat ndërkombëtare në Kosovë të reagojnë dhe personalisht kam insistuar që së bashku te gjejmë gjurmët që do të na çonin te autorët e veprës”, ka thënë Daçiç.
Policia e Kosovës ka mohuar të ketë pasur informacione për të shtëna në rajonin e Gjilanit, nga ku autoritetet serbe thonë se ka ndodhur sulmi.