E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiç:Kosova duhet të bëjë lëshime për telekomin

Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka deklaruar se nuk ka afat për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sa i përket telekomunikacionit.

Në një prononcim për mediat serbe, Daçiç u shpreh se të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të gjetur një zgjidhje sa i përket telekomunikacionit.

Po punojmë në këtë drejtim, por marrëveshje ende nuk ka.Energjia dhe telekomunikacioni janë të lidhura ngushtë dhe të dyja palët duhet të lëshojmë pe”,  theksoi Daçiç.

Ndërkohë autoritetet në Kosovë ende janë në pritje të përgjigjes nga Beogradi, i cili duhet të njoftojë Brukselin zyrtar për marrëveshjen ndërmjet dy shteteve mbi çështjen e telekomunikacionit.

Zyrtarët qeveritarë thanë se afati i fundit për Serbinë ka qenë dita e enjte, 8 gusht, për tu deklaruar nëse e ka pranuar marrëveshjen.

Marrëveshja, parashikon që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar +383, kurse Serbia fiton licencimin e një operatori serb të telefonisë celulare në Kosovë.

Beogradi insiston që operatorit ti jepet licenca pa procedura, kurse Prishtina thotë se licenca është çështje edhe e tenderimit, por se është e gatshme që ti lehtësojë procedurat për licencimin e një  kompanie serbe, e cila do të punonte si operator virtual, brenda rrjetit të dy operatorëve legjitim në Kosovë.

Nga ana tjetër, Brukseli gjithashtu nuk e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për telekomin mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç ishte raportuar fillimisht.

Maja Kocijançiç, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme, Catherine Ashton e cila ka ndërmjetësuar takimet e kryeministrave Thaçi e Daçiç, ka thënë se ende nuk ka asgjë të re rreth kësaj teme.

Ndërkohë Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tani disa marrëveshje në kuadër të dialogut teknik në Bruksel, por zbatimi i tyre vazhdon të jetë i diskutueshëm.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 19 prill, gjithashtu po shoqërohet me ritëm të ngadalësuar zbatueshmërie.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›