Vulin kërcënon me bojkotimin e zgjedhjeve në Kosovë
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se për Serbinë është e papranueshme që fletët e votimit për zgjedhjet lokale në Kosovë të kenë simbolet shtetërore të Kosovës, ashtu siç paralajmërohet nga Prishtina.
Duke folur për televizionin shtetëror serb, Vulin ka thënë se OSBE-ja duhet të jetë neutrale ndaj statusit.
“OSBE-ja, ose do të jetë neutrale ndaj statusit, ose nuk do të ketë zgjedhje, është shprehur ai.
Vulin gjithashtu ka thënë se Prishtina, prej kohësh shpreh frikë nga mundësia që serbët të marrin të gjitha të drejtat që kanë fituar me Marrëveshjen e Brukselit.
“Për të marrë pjesë në zgjedhje, serbët nuk duhet ta pranojnë shtetin e Kosovës dhe nuk janë të obliguar të bëhen shtetas të Republikës së Kosovës. Marrëveshja është neutrale ndaj statusit dhe vetëm me këto kushte dhe pa asnjë lloj simbolesh të shtetit të paqenë, serbët do të pranojnë listat zgjedhore”, ka thënë Vulin.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 3 nëntor.