E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiq: Na spiunuan serbët që punojnë për Thaçin

Ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka dënuar ashpër arrestimin e pjesëtarëve të Ministrisë së brendshme të Serbisë (MUP) në Gjilan dhe ka shprehur keqardhje që policia e Serbisë nuk e ka policinë e vet në Kosovë.

“Më vie keq që Serbia nuk e ka policinë në Kosovë, sepse sikur ta kishte pasur, nuk do të kishte ndodhur kjo që shqiptarët e bëjnë kundër serbëve, e as ajo që serbët ia bëjnë vetvetes”, u tha sot Daçiq gazetarëve në Beograd.

Ai theksoi se pjesëtarët e Ministrisë së brendshme të Serbisë i kishin paraqitur “serbët lokalë që punojnë për Thaçin”.

Gjashtë pjesëtarët e MUP-it serb, të arrestuar dje në rrethin e Gjilanit, sot pritet të dalin para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Gjilan.

Ata janë arrestuar si të dyshuar se kanë vepruar kundër interesit juridik të Kosovës. Atyre u janë gjetur uniforma të Policisë serbe e distiktive të MUP-it serb. Në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe janë konfiskuar armë të ndryshme dhe gjësende të tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›