E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Zhgënjim që s’ka kompromis



BLEDAR HOTI

Ndërkombëtaret shprehen të zhgënjyer për mos arritjen e konsensusit ndërmjet maxhorancës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve dhe deklarojnë se votimi në Kuvend nuk e zgjidhi krizën politike në vend. Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch në deklaratën e djeshme tha se, seanca parlamentare e së premtes nuk ndihmoi në zgjidhjen e krizës politike. “Siç mund ta imagjinoni, jam jashtëzakonisht i zhgënjyer. Ju e dini që javën e shkuar u bëra thirrje të dy palëve për të arritur një kompromis. Dhe kompromis do të thotë që ta dëgjonin njërit-tjetrin. Parlamenti është vendi ku negociohet një kompromis dhe ajo që pamë ishte që të dy palët përsëritën këndvështrimet e tyre pa mbarim, pa fund. Dhe nuk pati debat, vetëm deklarime dhe kjo ishte pikërisht ajo që nuk donim të ndodhte. Kjo është pikërisht gjëja më negative që mund të mendohet. Pra kjo nuk qe aspak e dobishme, shpresoj që kjo të mos jetë fundi i tërë çështjes, ashtu siç thashë të enjten, kompromis do të thotë që të dy palët të lëshojnë diçka nga vetja, të bëjnë lëshime. Asnjëherë nuk arrin plotësisht atë që do dhe tani çdokush rifillon me pikat e veta dhe kjo sigurisht nuk është e pranueshme dhe ne na duhet të vazhdojmë, me shpresën që dyert nuk janë krejtësisht të mbyllura, por sigurisht që nuk është aspak pozitive ajo që ndodhi javën e shkuar”, deklaroi Bosch. Kreu i prezencës së OSBE-së shtoi se “ka vetëm një rrugë dhe një zgjidhje duhet gjetur. Mund të zgjidhet me çfarëdo mënyre, nuk kam asnjë ide për këtë, të dyja palët duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje, nuk po them çfarë zgjidhje duhet të jetë, por sigurisht nuk duhet që njëra palë nuk heq dorë nga e saja dhe tjetra po ashtu, kompromisi është që të ecet së bashku dhe kjo është e sigurtë që nuk ndodhi javën e shkuar. Dhe ishte shumë negative, shumë zhgënjyese dhe shpresoj që ky të mos jetë fundi. Dhe besoj, sikurse thashë të enjten, besoj që ky nuk do të jetë fundi sepse ka vetëm një rrugëzgjidhje dhe ky është kompromisi”. Bosch nuk ngurroi të cilësonte si të padobishëm ngritjen e komisionit hetimor vetëm me votat e maxhorancës. “Duhet të ishte një komision me mbështetjen e të dyja palëve. Nëse bëhet fjalë për një kompromis, të dyja palët duhet të jenë dakord. Nëse vetëm njëra palë është dakord, atëherë kjo nuk është shumë e dobishme. Të dyja palët duhet të bien dakord me atë që do të bëhet. Nëse vetëm njëra palë është dakord, kjo është “de facto” sikur të mos kesh asgjë”, deklaroi kreu i prezencës së OSBE-së.

Fule: Ngërçi pengon integrimin
Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Fule gjatë vizitës në Tiranë shprehu besimin se “me vullnetin politik të palëve dhe angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë”. Ndërsa shtoi se “në qoftë se ngërçi politik dhe situata aktuale vazhdojnë dhe mbeten të pazgjidhur, kjo do të ngadalësojë procesin e mëtejshëm të integrimit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›