Dade: "Duam transparencë, PS nuk tërhiqet nga protestat"
Partia Socialiste nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për bojkotin e Kuvendit derisa Kryeministri Berisha dhe mazhoranca e tij të pranojnë kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ky mesazh ka ardhur i përsëritur dje nga sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade. Drejtuesja socialiste theksoi se "Sali Berisha në vend që të flasë se ai na paska organizuar zgjedhje të shkëlqyera, duhet patjetër ta marrë seriozisht vendimin politik të opozitës për të mos marrë pjesë në Parlament, përderisa nuk bëhet transparenca e plotë e kutive të votimit dhe e materialeve zgjedhore". Ajo nënvizoi se, manipulimi dhe deformimi i vullnetit të shumicës elektorale padyshim që bën përgjegjës Sali Berishën. "Ai ka abuzuar me bashkëpunimin me opozitën dhe sigurisht vazhdon të ketë një shurdhëri absolute edhe ndaj sugjerimeve të Komisionit Europian, për të rivendosur dialogun politik, i cili në asnjë rast nuk mund të vendoset, në rast se Sali Berisha nuk merr seriozisht kërkesat e opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve", vijoi Dade. Ajo insistoi se PS-ja do të vazhdojë përshkallëzimin e protestave të saj, ndaj ajo në emër të selisë rozë ka falënderuar gjithë ata mbështetës, simpatizantë dhe anëtarë të PS-së, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet e organizuar nga opozita. PS-ja, tha Dade, e ka ndërmarrë këtë aksion politik e imponuar nga situata e krijuar për shkak të vjedhjes së votës dhe manipulimit të vullnetit të zgjedhësve nga ana e përgjegjësit kryesor, Sali Berishës.