E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: “Minoriteti serb të ndërgjegjsohet, e ardhmja e tyre në Kosovë”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste i ka kërkuar qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Jashtme që të hapë sa më shpejtë ambasadën e vet në Kosovë. Nëpërmjet një daljeje publike sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade, ka kërkuar një angazhim serioz nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe vëmendje më të madhe ndaj ngjarjeve në Kosovë e në rajon dhe urgjentisht emërimin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Sipas sekretares së PS-së, “PSSH ndjek me vëmendje dhe shqetësim të veçantë zhvillimet e ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe dënon aktet e përsëritura të dhunës ndaj shtetasve të Kosovës dhe pronës së tyre. Ne vlerësojmë reagimin e menjëhershëm të autoriteteve të Kosovës dhe EULEX-it e KFOR-it në marrjen e masave për respektimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë atje. PS, mbështet këto autoritete dhe shpreh bindjen se funksionaliteti i të gjithë strukturave të EULEX dhe KFOR-it do të mundësojë shmangien e incidenteve të dhunës dhe do të krijojë kushtet për sundimin e ligjit dhe efektshmërinë e të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe të rendit. Ne vlerësojmë konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës si një proces që nuk njeh kthim mbrapa. Stabiliteti dhe paqja në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në rajon nuk mund të mbahen peng i skemave dhe mendësive të vjetëruara në erën e dekadës së fundit, si dhjetëvjeçari kur vendet e rajonit iu bashkangjitën proceseve integruese, të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit rajonal. Do të dëshironim që vizita e paralajmëruar e ministrit serb për Kosovën t i shërbejë qetësimit të situatës atje dhe inkurajimit të të gjithë shtetasve për të respektuar ligjin dhe autoritetet shtetërore të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Minoriteti serb duhet të ndërgjegjësohet se e ardhmja e tyre evropiane është në shtetin e tyre të Kosovës.
Kërkojmë nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Punëve të Jashtme angazhim serioz dhe vëmendje më të madhe ndaj ngjarjeve në Kosovë e në rajon dhe urgjentisht emërimin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë”, - përfundoi Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade
Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›