E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Bashës: Prokuroria po shkel ligjin

Organi qëndror i akuzës ka rikonfirmuar dje se të gjitha veprimet janë kryer sipas Kodit të Procedurës Penale

TIRANË- Mbrojtësi ligjor i të pandehurit Lulëzim Basha, Zef Nikaj, përsëriti edhe gjatë ditës së djeshme akuzat ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, duke e cilësuar mbylljen e fazës hetimore për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës si të paligjshme. “Veprimet e prokurorisë për mbylljen e fazës hetimore dhe dorëzimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, në kohën që pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe atë të Apelit po shqyrtohen kërkesë-paditë e klientit dhe ne si mbrojtës. Prokuroria e Përgjithshme vendos mbylljen e hetimeve duke shkelur për të disatën herë ligjet e legjislacionit shqiptarë. Të gjitha këto veprime të organit të akuzës, janë të pavlefshme dhe ne si mbrojtje do të arrijmë që me vendim të Gjykatës së Lartë ta deklarojmë këtë dosje hetimore të pavlefshme. Kemi besim te Gjykata e Lartë dhe çdo vendim i saj do të respektohet, pasi jemi të bindur se kjo dosje dhe aktet hetimore që ndodhen brenda saj janë të pavlefshme,”- tha dje avokati Nikaj.

Ndërkaq, burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës u shprehen se veprimet procedurale të prokurorit të çështjes Arben Kraja për mbylljen e dosjes hetimore ndaj të pandehurve Lulëzim Basha dhe Andi Toma janë të bazuara në Kodin të Procedurës Penale dhe sipas akteve të tjera ligjore. “Për mbylljen e dosjes, palët në proces janë njohur me dosjen me anë të agjencisë postare, që sipas Kodit të Procedurës Penale është e barazvlefshme me firmosjen e tyre nga vetë palët”,- thanë burimet e prokurorisë, duke shtuar se të martën në mëngjes Prokuroria e Përgjithshme do depozitojë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Handari nga gjykimi i kërkesë-padisë së mbrojtësit të Lulëzim Bashës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›